Lajme nga bota


Koronavirusi dhe ndryshimet klimatike: Një përrallë e dy krizave

Koronavirusi ka ulur nivelin e shkarkimeve më shpejt se sa vitet e negociatave për klimën. A është ky shpërthim virusi një pasqyrim i asaj se si do të ishte jeta jonë nëse do të vepronim seriozisht për ndryshimet klimatike? 

Kina, ndotësi më i madh në botë i gazrave serë, pati deklaruar se nuk kishte në plan të ulë shkarkimet e saj. Megjithatë, papritmas, kjo ekonomi gjigande, e mbështetur nga qymyri, ka ulur shkarkimet në 25%, sipas Qendrës Kërkimore të Energjisë dhe Ajrit të Pastër të Universitetit të Helsinkit. 

Kjo, jo për shkak të krizës klimatike, por të urgjencës së shëndetit publik shkaktuar nga virusi COVID-19.

Vuhan, qyteti i provincës Hubei me 11 milion banorë, si qendër e shpërthimit të koronavirusit ka qenë i mbyllur që nga fundi i janarit. Duke pasur biznese dhe fabrika të mbyllura, dhe qindra miliona njerëz në të gjithë vendin të pamundur për të lëvizur, si pasojë e kufizimeve të udhëtimit, atmosfera mbi Kinën sipas imazheve satelitore të NASA-s duket gati e pastër nga shkarkimet e oksidit të azotit.

Në të gjithë botën, industria e aviacionit po parashikon humbje të konsiderueshme, ngjarjet sportive dhe konferencat ndërkombëtare janë anulluar dhe shkollat janë mbyllur. Ekonomistët po paralajmërojnë recesion të mundshëm të partnerëve tregtare të Kinës, si Gjermania dhe Japonia, ndërsa rritja globale parashikohet të ngadalësohet dhe kërkesa për naftë ka rënë më shpejt se çdo herë tjerë, që prej krizës financiare të vitit 2008.

Virusi po na nxit të ndryshojmë zakonet tona në mënyra që mund të japin një kontribut afatgjatë në mbrojtjen e klimës - duke punuar nga shtëpia, konferenca me video, apo punë me kohë të shkurtuar.

Kompanitë gjithashtu mund të dalin në përfundimin se ajo që është e mirë për planetin – prodhimi vendas - është një mënyrë e arsyeshme për të mbrojtur zinxhirët e tyre të furnizimit nga të gjitha llojet e rrezikut, siç janë ngjarjet ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike.

Pas krizës financiare të vitit 2008, e cila gjithashtu çoi në një rënie dramatike të shkarkimeve të Kinës dhe përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit - pasi industritë e eksportit kaluan në rënie të nivelit të punës - qeveria nisi një program masiv rindërtimi, i cili tregoi rritje të shkarkimeve.

"E vetmja kohë kur shohim që shkarkimet ulen në mënyrë të konsiderueshme është kur vendet - ose bota - shkon në recesion," thotë Xhon Erikson, një ekonomist ekologjik në Institutin Gund të Universitetit të Vermontit, i cili studion vektorët e sëmundjeve infektive në zhvillim, në lidhje me ndryshimet klimatike.

Ndërsa recesionet janë të mira për çështjet e klimës, ato janë të tmerrshme për njerëzit - veçanërisht shtresat më të varfëra të shoqërisë. 

Javët e fundit po na tregojnë se kur një krizë vlerësohet si tepër urgjente, bota mund të veprojë shumë shpejt.

"Nëse me të vërtetë e trajtojmë klimën si një emergjencë, ashtu siç po trajtohet kjo pandemi, do të kemi një nivel të ngjashëm të koordinimit ndërkombëtar", thotë Erikson, duke filluar me përshkallëzimin e shpejtë të investimeve në industritë e lëndëve djegëse fosile.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.