Lajme nga bota


Ndikimi në mjedis i kufizimeve prej koronavirusit

Nga ujërat e pastra kristal në kanalet e Venecias deri në rënien dramatike të niveleve të ndotjes në qytetet e mëdha, pandemia e koronavirusit gjykohet se ka pasur një sërë efektesh pozitive në mjedis, për shkak se miliona njerëz e mijëra aktivitete në të gjithë botën janë mbyllur.

Të gjithë i kemi parë statuset dhe kemi ndarë lajmet, se ka delfinë dhe mjellma në Venecia ose ka elefantë në Kinë, të cilët lëvizin lirshëm në këtë botë të pastër dhe pa njerëz. Të gjithë duam të besojmë në diçka të mirë në këto kohëra të tmerrshme, por rezultoi se ato lajme dhe imazhe ishin të rreme…ok, mbase jo plotësisht të rreme, thjesht jo të lidhura me situatën aktuale të kufizimeve nga koronavirusi në të gjithë botën.

Delfinët dhe mjellmat kanë qenë gjithnjë në Venecia dhe fotografia e elefantëve është e vjetër. Pra, lind pyetja nëse kemi të njëjtin mjedis si më parë, apo një tjetër disi më të mirë? Për të evituar zhurmën dhe për të zbuluar të vërtetën le të shohim të dhënat. Indeksi i Cilësisë së Ajrit (ICA) është një e dhënë mjaft bindëse, e cila pasqyron nivelet e ndotjes së ajrit dhe rrjedhimisht një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar ndikimin në atmosferë nga kufizimet e koronavirusit. Ndryshimet në nivelet e ndotësve në të gjithë botën mund të shihen në CovidExplore.com.

Qartazi, vihet re një ndryshim drastik mes fundit të janarit dhe tani. Në mënyrë të veçantë, nivelet e NO2 kanë pësuar një rënie të madhe pasi praktikisht nuk ka makina në rrugë dhe shumë pak industri që funksionojnë. Dallimet më të mëdha vërehen për Italinë, Spanjën, Iranin ku janë marrë edhe masat më të rrepta për të trajtuar përhapjen e virusit. Të dhënat e Agjencisë Evropiane të Mjedisit (AEM) konfirmojnë ulje të mëdha në përqendrimet e ndotësve të ajrit.

Një ndikim tjetër në mjedis si pasojë e koronavirusit është rënia e theksuar e konsumit të qymyrgurit. Kjo ka kontribuar jo pak në rënien e ndotësve të ajrit në vende si Kina, ku konsumi i qymyrit është konsiderueshëm i lartë. Kjo rënie, jo vetëm që ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit në rajone, por edhe zvogëlon numrin e ndotësve të ajrit si dioksidi dhe oksidi i karbonit (CO2 dhe CO) dhe oksidi i azotit (NO2).

Ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz janë mbyllur në të gjithë botën, është ndërprerë konsumi i energjisë në ambientet e punës dhe komplekse industriale/prodhuese. Shumë njerëz tani punojnë në shtëpi, ndaj pritet që konsumi i energjisë shtëpiake të rritet. Sidoqoftë, kjo rritje kompensohet ndjeshëm nga kursimi i energjisë nga mos-përdorimi i ambienteve komerciale. Gjithashtu kemi edhe efektin e pakësimit të konsumit të lëndëve djegëse ndotëse në termocentralet pasi kërkesa për energji ka pësuar rënie.

Për më tepër, disa ekspertë shprehen se, për shkak të pandemisë, shtetet mund të jenë në gjendje të përmbushin objektivat e tyre të Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Sektorët si transporti dhe prodhimi janë të bllokuar, si pasojë po pakësohen edhe emetimet e shkaktuara prej tyre. Kjo do të mundësojë që vendet e prekura të përmbushin në mënyrë të pavullnetshme objektivat e tyre të Marrëveshjes për Klimën.

Sidoqoftë, sado përmirësime të ketë në mjedis, këto nuk mund të justifikojnë ose të kompensojnë humbjen e jetës, vuajtjet dhe dhimbjet që po kalojnë njerëzit anembanë botës. Bile, është marrëzi edhe ta mendosh një gjë të tillë. Por ajo që mund të bëjmë është ndoshta të mësojmë prej kësaj situate. Kriza e COVID ka ardhur deri në këtë fazë sepse liderët tanë botërorë ishin “të zënë” duke mohuar efektet e saj ashtu si ata mohojnë edhe aspektet e ndryshme të ndryshimeve klimatike. Herën tjetër, kriza mund të jetë klima. Kështu që, për këtë duhet të jemi gati. Ajo, madje, mund të mos ketë asnjë të çarë në parzmoren e vet.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.