Lajme nga bota


Reja sahariane mbështjell Karaibet, errësohen qiejt e Kubës, Puerto Rikos, Meksikës e Majamit në SHBA

Qiejt e disa shteteve tropikale në Amerikë janë errësuar për shkak të një ere masive nga Saharaja. Autoritetet kanë apeluar mbajtjen e maskave për të evituar dëmet në shëndet duke ditur edhe lidhjen mes ndotjes dhe vdekshmërisë prej kovidit.

Një re masive pluhuri me origjinë nga Afrika Veriore ka mbështjellë prej ditësh shtetet tropikale që lagen nga Atlantiku duke rrezikuar shtrirjen deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishujt Karaibe, Kuba, Venezuela, brigjet e Puerto Rikos dhe deri ato të Meksikës e Majamit në perëndim janë disa nga rajonet e goditura prej valës sahariane që ka rrethuar horizontet me ngjyrë të kafenjtë.

Re të tilla pluhuri krijohen zakonisht nga erërat e forta që fryjnë në shkretëtirën e Saharasë.

Pluhuri dhe grimcat e ngritura në zonat afrikane transportohen më tej në lartësi të madhe me mijëra kilometra nëpër botë nga Kepi i Gjelbër në perëndim të Senegalit përtej Oqeanit Atlantik.

Grimcat e vogla shoqërohen me tharje të ajrit që sipas Ministrisë kubane të Shëndetësisë, po ulin edhe shanset për reshje teksa masa ajrore lëviz gjithnjë e më shumë drejt perëndimit.

"Nga këndvështrimi mjekësor, reja e pluhurit ndikon te njerëzit me astmë, me alergji. Personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët nën 4 vjeç mund të pësojnë një atak astmatik, me simptoma të rënduara të frymëmarrjes, me acarim të fytit dhe me irritim të syve."

Për popullsitë tropikale të Amerikës, era sahariane e sivjetme konsiderohet më e vështira e dekadës dhe nga më seriozet në 50 vitet e fundit, pasi ndryshe nga herët e tjera, reja e pluhurit po qëndron e dendur dhe kompakte në lëvizje, duke mos u shpërhapur e as holluar.

Reja sahariane rastis edhe në një periudhë pandemie dhe krize klimatike prej ngrohjes globale çka e bën atë më të rrezikshme.

Një studim i fundit i Universitetit të Harvardit zbuloi se ndotja, pluhurat, rritin mundësitë e shtrimit në spital dhe normat e vdekshmërisë për shkak të kovidit-19.

Autoritetet kanë rekomanduar mbajtjen e maskave për të evituar thithjen e thërrmijave të dëmshme për shëndetin.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.