Lajme nga bota


Plastika për riciklim nga Evropa përfundon në ujërat e Azisë

Ndërgjegjësimi i publikut për ndotjen plastike po rritet dhe riciklimi në Evropë është shndërruar në një proces tashmë të njohur për të gjithë. Sidoqoftë, megjithëse riciklimi pasqyrohet si një zgjidhje, një sasi e madhe e plastikës për riciklim është e parashikuar të përfundojë në landfille apo oqeane, sipas një studimi të ri të parashikuar për botim në edicionin e muajit shtator të revistës Environment International.

Autorët e studimit thonë se shumica e plastikës së eksportuar nga Evropa për riciklimin - kryesisht polietileni - nuk është i riciklueshëm. Përkundrazi, mbetjet plastike të dërguara në Azi shpesh përfundojnë në landfille apo edhe në oqean. Për herë të parë, studiuesit kanë matur sasinë e vëllimit e plastikës së eksportuar nga vendet evropiane (BE, Britani e Madhe, Zvicër dhe Norvegji) duke kontribuar në ndotjen e oqeanit.

Autori kryesor i studimit, George Bishop, tha: "Rezultatet na tregojnë një rrugë të padokumentuar më parë të mbetjeve plastike që përfundojnë në oqeane, të cilat do të kenë ndikime të konsiderueshme mjedisore dhe sociale në ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare."

Studiuesit nga Universiteti Kombëtar i Irlandës Galway dhe Universiteti i Limerick në Irlandë përdorën të dhënat e tregtisë dhe të dhënat e menaxhimit të mbetjeve nga vendet e importuese për të përcaktuar fatet e ndryshme të te gjithë plastikës të riciklueshme të eksportuar nga Evropa.

Ata zbuluan se 46% e mbetjeve plastike të ndara të Evropës eksportohen jashtë vendit të origjinës. Teksa Kina më parë ishte importuesi i vetëm më i madh i plastikës për riciklim, vendi mbylli dyert e saj në vitin 2017. Që nga ajo kohë, vendet e Azisë Juglindore me praktika të dobëta të menaxhimit të mbetjeve kanë marrë përsipër këtë barrë.

Për vitin 2017, ekspertët vlerësuan se deri në 180,000 ton - dmth rreth 7%, e të gjithë polietenit evropian të eksportuar - mund të ketë përfunduar në oqeane.

Bashkëautori Dr David Styles, pedagog në Universitetin e Limerick, shpjegoi: "Duke pasur parasysh që një sasi e tillë e mbetjeve të destinuara për riciklim, eksportohet, me mundësi të dobëta gjurmimi, ky studim thotë se nivelet e riciklimit "të vërtetë" mund të ndryshojnë ndjeshëm nga normat e raportuara nga bashkitë dhe vendet e origjinës së mbetjeve".

Varësia njerëzore ndaj plastikës ka çuar në një pandemi të plastikës të përhapur kudo: mbi 300 milion ton plastikë prodhohet çdo vit. Plastika është gjetur në thellësitë më të thella të oqeaneve dhe në malet e largëta. 

Autorët e studimit paralajmërojnë se gjetjet e tyre nuk sugjerojnë që njerëzit duhet të ndalojnë riciklimin, pasi ajo mbetet rruga më efektive për menaxhimin e mbetjeve. Përkundrazi, studimi nxjerr në pah një nevojë urgjente për të përmirësuar zinxhirët e riciklimit të plastikës për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të oqeaneve, komuniteteve bregdetare dhe ekosistemeve tokësore.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.