Lajme nga bota


Situata e zjarreve në Kaliforni: 15 viktima dhe 500 mijë banorë të evakuuar

Asnjëherë më parë Kalifornia nuk ishte përballur me një zjarr të përmasave të tilla që po shkatërron territorin federal, në veri të Sakramentos.

Situata nuk është më e mirë në Oregon, në bregun perëndimor në veri të Kalifornisë ku 500 mijë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë për 10 për qind të popullsisë totale dhe numri është në rritje.

Zjarrfikësit po i japin prioritet sigurimit të jetës së njerëzve teksa luftojnë me flakët në një shtrirje prej 900 mijë hektarësh në të gjithë shtetin.

Në Kaliforni zjarri i shpërndarë në disa vatra po përfshin pyllin kombëtar të Mendocinos dhe situata është klasifikuar si më e rrezikshmja në historinë e këtij shteti.

Guvernatori Gevin Njusom fajësoi ndryshimin klimaterik dhe më pas shtoi se dëmet ekonomike janë të pallogaritshme.

I quajtur Zjarri Kompleks i Gushtit, zjarri aktual është një kombinim prej 37 zjarresh të nisura nga një rrufe në pyllin kombëtar të Mendocinos në 17 gusht, dhe deri tani vetëm 24% e tij është nën kontroll.

Zyrtarët federalë pranojnë se temperaturat janë më të lartat të regjistruara ndonjëherë dhe erërat i kanë favorizuar më shumë. Tymi madh pengon punën e helikopterëve anti-zjarr.

Por presidenti amerikan fajëson zyrtarët, duke thënë se nuk kanë qenë të aftë të parandalojnë përhapjen e zjarreve.

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve. 10 në veri të Kalifornisë, por bilanci mund të rëndohet dhe më shumë pasi ndërhyrja e shpejtë është në kërkim të 16 personave që janë shpallur të zhdukur.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.