Lajme nga bota


Bota po neglizhon të gjitha objektivat për të shpëtuar natyrën, paralajmëron OKB

Shtetet po humbasin të gjitha objektivat që ato vetë vendosën një dekadë më parë për të mbrojtur natyrën dhe për të shpëtuar biodiversitetin jetësor të Tokës, deklaruan Kombet e Bashkuara.

Ndikimi i njerëzimit në botën natyrore gjatë pesë dekadave të fundit ka qenë katastrofike: që nga viti 1970, rreth 70 përqind e kafshëve të egra, zogjve dhe peshqve janë zhdukur, sipas një vlerësimi të ËËF këtë muaj.

Vitin e kaluar paneli i KB për biodiversitetin (IPBES), paralajmëroi se një milion lloje rrezikohen me zhdukje pasi aktivitetet njerëzore kanë degraduar tre të katërtat e tokës në Botë.

Në vitin 2010, 190 shtete anëtare të Konventës së KB mbi Shumëllojshmërinë Biologjike u angazhuan për një plan ‘luftimi’ për të kufizuar dëmet e shkaktuara në natyrë deri në vitin 2020, duke vendosur 20 objektiva që prekin shumë problematika, nga kufizimi i humbjes së habitateve deri te mbrojtja e rezervave të peshkut.

Por në raportin e fundit Global të Biodiversitetit (GBO), OKB deklaroi se asnjë nga këto qëllime nuk do të përmbushej.

"Në një mënyrë sistematike, ne po shfarosim të gjitha qeniet e gjalla jo-njerëzore," i tha AFP-së, Anne Larigauderie, sekretare ekzekutive e IPBES.

Në prag të Asamblesë së Përgjithshme të KB dhe një viti vendimtar për natyrën dhe klimën, vlerësimi i raportit tregon se asnjë nga objektivat e biodiversitetit nuk do të përmbushej plotësisht, duke minuar përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike.

Pandemia e koronavirusit ka shtyrë planet deri në vitin 2021 për dy samite të mëdha të biodiversitetit këtë vit, negociatat e COP15 dhe kongresi global i Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – të cilat synojnë rritjen e përpjekjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

Larigauderie tha se kriza globale e shëndetit duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për udhëheqësit botërorë. "Ne po kuptojmë bashkërisht më mirë se kjo krizë është e lidhur me gjithçka që dëshirojmë të diskutojmë në bisedimet e COP15." 

Elizabeth Maruma Mrema, sekretare ekzekutive e Konventës mbi Shumëllojshmërinë Biologjike, i tha AFP-së se shoqëritë po fillojnë të ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së natyrës. Situata me Covid-19 ka demonstruar qartë se shpyllëzimi, ndikimi njerëzor në botën e egër mund të ketë pasoja në jetën tonë të përditshme.

Publiku e ka kuptuar që llojet më të rrezikshme jemi ne, qeniet njerëzore, dhe se ata vetë duhet të luajnë një rol dhe ushtrojnë presion mbi industrinë për të ndryshuar qasje.

Andy White, koordinator i Iniciativës për të Drejtat dhe Burimet, një koalicion global me më shumë se 150 grupe që shtyjnë për fuqizimin vendas, i tha AFP-së se "nuk kishte më asnjë justifikim" për të mos investuar në këto komunitete. Ato duhet të vendosen në zemër të iniciativave të ruajtjes duke rritur të drejtat vendase të tokës - "një zgjidhje e provuar për mbrojtjen e ekosistemeve që janë jetike për shëndetin e planetit dhe popujve të tij".


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.