Lajme nga bota


“Shkrepni foto, jo armë”, aktivistët bëjnë thirrje për mbrojtjen e botës së egër

Grupimi “Big 5” përdoret nga gjuetarët e trofeve në Afrikë për pesë kafshët më të çmuara dhe më të rrezikshme për t’u qëlluar dhe vrarë, ndër to përmendim: luani, elefanti, tigri, ariu dhe gorilla.

Tani më shumë se 250 nga fotografët e natyrës në botë, aktivistët e mjedisit dhe organizatat bamirëse të botës së egër janë bashkuar për të rimarrë grupin dhe për t’a përdorur atë për të mbrojtur këto kafshë në vend që t’i dëmtojnë.

“Ka shumë specie që përballen me kërcënime për mbijetesën e tyre nga çështje të tilla si: gjuetia pa leje, humbja e habitateve dhe ndryshimi i klimës, etj.” tha aktivistja e njohur, Jane Goodall. “Një milion specie janë në rrezik zhdukjeje. Nëse punojmë së bashku, ne mund ta ndalojmë këtë të ndodhë. Ka gjithmonë shpresë. Ndryshimi është i mundur nëse secili luan rolin e vet,” – shtoi Goodall.

Pesë kafshët e zgjedhura në këtë grup, janë specie thelbësore për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të habitateve të tyre dhe luajnë role jetësore në zinxhirin ushqimor. Pa këto kafshë, do të kishte më pak biodiversitet dhe rrezik të rritur edhe për mbijetesën e specieve të tjera.

Këto kafshë u votuan nga mbi 50,000 adhurues të botës së egër në të gjithë botën.

- Luani, në rrezik kritik (20.000 specie të mbetura)

Simboli i fuqisë dhe guximit është etiketuar zyrtarisht në Listën e Kuqe të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) të Specieve të Kërcënuara dhe në Afrikën Perëndimore luani është një kafshë mjaft e rrezikuar. Aktiviteti njerëzor dhe gjuetia pa leje kanë bërë që numri i tyre të bjerë nga rreth 100.000 një shekull më parë në vetëm 20.000. Grupet e ruajtjes thonë se duhet të veprojmë tani për të shpëtuar këto krijesa madhështore.

“Unë jam shumë i emocionuar që luanët janë në listën e re të “Big 5” sepse kanë nevojë për të gjithë vëmendjen e mundshme. Ata janë në telashe serioze dhe po zhduken dita-ditës” – u shpreh Shivani Bhalla themelues i Ewaso Lions. “Shpresoj që duke u bashkuar dhe duke u dhënë luanëve vëmendjen që meritojnë, ne mund t’i adresojmë këto kërcënime dhe të sigurojmë që luanët të jenë të lirë e të enden nëpër peizazhet mahnitëse të Afrikës,” – shtoi ai.

- Elefanti, në rrezik kritik (455.000 të mbetur)

Në vitin 1930, rreth 10 milion elefantë të egër endeshin në Afrikë. Tani ka vetëm rreth 455.000 elefantë të egër në botë për shkak të tregtisë së fildishtë, gjuetisë pa leje dhe humbjes së habitatit.

Ekzistojnë tre lloje elefantësh, ai i Savanës Afrikane, i Pyjeve Afrikane dhe Aziatike. Në mars elefanti i Savanës u rendit si i rrezikuar dhe elefanti i Pyjeve si i rrezikuar në mënyrë kritike nga IUCN. Ende, janë rreth 55 elefantë afrikanë në ditë që po vriten nga gjuetarët pa leje, konkretisht një në çdo 26 minuta.

“Aktualisht po përjetojmë vërshimin më të keq të specieve që zhduken që nga humbja e dinozaurëve 65 milion vjet më parë, por ndryshe nga zhdukjet masive të kaluara, kriza aktuale është shkaktuar pothuajse tërësisht nga njerëzit” – shpjegoi fotografi i botës së egër Marsel van Oosten.

Zona përreth Çernobilit është një shembull kryesor i asaj që mund të ndodhë kur njerëzit ndalojnë ndërhyrjet dhe u japin kafshëve hapësirë. Pas katastrofës bërthamore të Çernobilit, zona përreth u bë e paligjshme për të jetuar dhe në mungesë të njeriut natyra ka lulëzuar.

- Tigri, në rrezik (3.159 të mbetur)

Numrat e specieve të tigrave të egër ranë me më shumë se 95% që nga fillimi i shekullit të 20-të. Tani kanë mbetur vetëm rreth 3.159 dhe IUCN i ka klasifikuar ata si të rrezikuar. Gjuetia e paligjshme, humbja e habitatit, tregtia e paligjshme e pjesëve të trupit të tigrave, aktiviteti njerëzor dhe ndryshimi i klimës janë shkaqet kryesore për këtë rënie. Sidoqoftë, ka shpresë pasi përpjekjet për ruajtje kanë filluar të kenë një efekt dhe për herë të parë në historinë e ruajtjes numri i tyre po rritet.

- Ariu polar, në rrezik (26.000 të mbetur)

Arinjtë polarë po përballen me një kërcënim serioz për shkak të ndryshimit të klimës. Arinjtë polarë jetojnë në zona të akullta si Arktiku dhe ndërsa ato zvogëlohen në madhësi për shkak të ngrohjes globale, po kështu ndodh dhe me habitatin e tyre. Si rezultat, numrat global të ariut polar parashikohet të bien me 30 % deri në vitin 2050.

Aktualisht ka vetëm rreth 26.000 arinj polar në natyrë dhe ata tashmë janë etiketuar si të rrezikuar nga IUCN kështu që kjo do të ketë një efekt të dëmshëm për speciet.

“Duke ndërmarrë veprime mbi ndryshimin e klimës, ne jo vetëm që do të sigurojmë të ardhmen e ariut polar, por do të ndihmojmë edhe njerëzit. Një e ardhme që mbështet arinjtë polarë do të jetë një e ardhme më e mirë për të gjithë ne,” – u shpreh Krista Wright, drejtore Ekzekutive e Polar Bears International.

- Gorilla, në rrezik kritik (361.000 gorilla perëndimore dhe 2.600 gorilla lindore të mbetura)

Të fundit, por jo më pak të rëndësishmit në listë janë gorillat. Një studim në vitin 2018 zbuloi se kishte në të vërtetë më shumë gorilla në natyrë sesa mendohej më parë. Ai zbuloi gjithashtu se ka rreth 361.000 gorilla perëndimore dhe rreth 2.600 gorilla lindore. Një gërshetim i gjuetisë pa leje dhe sëmundjeve ka bërë që gorilla të rrezikohet në mënyrë kritike sipas IUCN.

Fondi Botëror për Natyrën (WWF) thotë se edhe sikur të hiqeshin të gjitha kërcënimet ndaj gorillave perëndimore, shkencëtarët llogarisin që popullsisë do t’i duheshin rreth 75 vjet për t’u rikuperuar.

Grupimi i ri “Big 5” reflekton ndikimin që kanë veprimet tona në krijesat me të cilat ndajmë këtë botë. Megjithatë, ato janë vetëm maja e ajsbergut. Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 2019 zbuloi se një milion specie shtazore dhe bimore tani kërcënohen të zhduken.

“Duhet të bëjmë më shumë,” – u bëri thirrje të gjithë përkrahësve Jon Paul Rodríguez, Kryetar i Komisionit të Mbijetesës së Specieve (IUCN).


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.