Banka Botërore: Mbi 2 mijë persona humbën jetën nga ndotja e ajrit më 2019, Shqipëria me nivelet më të ulëta në Rajon
Shqipëria kishte
79 vdekje për 100 mijë banorë nga ndotja ose 2269 persona, në nivelet më të
ulëta rajonale, për shkak se, prodhimi i energjisë bëhet 100 për qind nga
burime të pastra (uji), ndryshe nga rajoni që prodhojnë energjinë nga qymyri.
Gjithashtu vendet e rajonit përdorin gjatë dimrit për ngrohje lëndë që krijojnë
ndotje si drutë dhe qymyri, ndryshe nga Shqipëria që përdor energjinë
elektrike.
Banka Botërore
evidentoi se, ajri që thithin njerëzit në Ballkanin Perëndimor është shpesh
ndër më të ndoturit në botë. Ndotja e ajrit mbetet faktori kryesor i rrezikut
mjedisor. që kontribuon në numrin më të lartë të vdekjeve dhe aftësive të
kufizuara të marra së bashku
Efektet negative
të ndotjes vijojnë të rriten në rajon- duke përfshirë ndikimet shëndetësore,
mjedisore dhe ato ekonomike.
Gjatë 15 viteve
të fundit, Banka Botërore ka investuar më shumë se 250 milionë USD për të
rritur eficencën e energjisë dhe për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emisionet
e gazeve serrë në rajon – përfshirë nismat me qëllim zvogëlimin e kërkesës së
përgjithshme për ngrohje, zëvendësimin e kaldajave të vjetruara me dru dhe
qymyr dhe rritjen e përdorimit të një ndriçimi më efikas.
Një pasdite, në
fund të shkurtit 2021, sipas të dhënave në faqen zvicerane të internetit IQAir,
Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, shënoi
vlerën 298, duke lënë pas Lahoren në Pakistan, Ulan Batorin në Mongoli dhe
rreth 100 qytete të tjera, dhe duke fituar në këtë mënyrë titullin e dyshimtë
për cilësinë më të keqe të ajrit në atë moment krahasuar me çdo qytet tjetër të
madh në planet. Gjatë asaj dite, Indeksi i Cilësisë së Ajrit në kryeqytetet e
Bosnje-Herzegovinës, Maqedonisë së Veriut
dhe Serbisë shënoi vlera midis 165 dhe 214 – nivele që konsiderohen si
‘të pashëndetshme ‘ ose ‘shumë të pashëndetshme’.
Ajri që thithin
njerëzit që jetojnë në Sarajevë, Shkup, Beograd dhe në shumë qytete të tjera në
të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në
botë, kjo veçanërisht në muajt e dimrit, kur ndotësit e emetuar nga
termocentralet me qymyr, sistemet e ngrohjes së banesave, automjetet,
aktivitetet industriale dhe burime të tjera errësojnë diellin, ndotin mjedisin
dhe krijojnë kushte të rrezikshme për frymëmarrjen.
Me 175 vdekje për
100,000 banorë në 2019, Serbia kryesonte listën e vendeve evropiane për normën
më të lartë të vdekjeve nga ndotja dhe u rendit e 9-ta në renditjen e
përgjithshme të gjithë vendeve të botës – më lart edhe se India.
Ndërsa ndikimet
negative të ndotjes vazhdojnë të rriten në rajon, politikë bërësit atje
vazhdojnë të hulumtojnë qasje shumëdimensionale me qëllim kapërcimin e
ndikimeve shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike të këtyre sfidave.
Ndotja e ajrit
mbetet faktori kryesor i rrezikut mjedisor që kontribuon në numrin më të lartë
të vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të marra së bashku. Për më tepër, kostoja
vjetore ekonomike lidhur me dëmtimin e
shëndetit nga kjo ndotje është marramendëse, mesatarisht për vitin 2016 ishte
240 milionë US$ në Kosovë (3.6% e PBB-së), 750 milionë US$ në Maqedoninë e
Veriut (6.9% e PBB-së) dhe 1.38 miliardë US$ në Bosnjë dhe Hercegovinë (8.2% e
PBB-së)./Monitor
