Formacionet koralore vijnë me një avantazh të dyfishtë
Shkëmbinjtë
nënujorë koralorë shërbejnë si strehë për një të tretën e florës dhe faunës së
oqeaneve. Rritja e
temperaturave të oqeaneve dhe rritja e aciditetit, po i shkatërron ato në një
ritëm të shpejtë. Rreth 80 për qind të koraleve në Karaibe kanë ngordhur, po
ashtu edhe gati 75 për qind e shkëmbinjve koralorë të Australisë, që janë më të
mëdha në planet. Por një studim i ri, sipas korrespondentes së Zërit të
Amerikës, Rosanne Skirble, jep shpresë se një tip i ri koralesh, tolerantë ndaj
ngrohjes, mund të ndihmojë në ruajtjen e shkëmbinjve nënujorë për njëklimë më të
ngrohtë.
Në një lagunë të
largët të Paqësorit në Samoan Amerikane, shkencëtarët janë duke studiuar një
specie koralore që jeton në dy pellgje ngjitur në të njëjtën formacion
shkëmbor. I vetmi ndryshim është se njëri pellg është më i ngrohtë se sa
tjetri, thotë biologu Stephen Palumbi:
“Këto akuariume
kanë korale që i shkëputëm nga formacioni sot në mëngjes. Por deri nga mesdita,
njëri është gjallë, ndërsa tjetri i ngordhur. Pra, cili është ndryshimi?”
Koralët e marrë
nga vendi më i ftohtë u transplantuan në më të ngrohtin. Pas gati një viti,
transplantët u testuan në kushte aboratorike të ngrohura. Sipas studimit, të përshkruar
në revistën akademike Science, transplantët ishin rreth 50 për qind më pak
tolerantë ndaj ngrohjes se sa koralët që kishin jetuar në pellgun më të ngrohtë
gjatë gjithë kohës. Megjithatë, të ardhurit e rinj u përshtatën shpejt në
krahasim me mënyrën se si krijesat, do të evoluonin me kalimin e
kohës, thotë zoti Palumbi.
“Sipas vlerësimit
tonë do të duhet rreth 50 deri në 100 vjet që evolucioni të gjenerojë këtë lloj
ndryshimi, kryesisht për shkak se koralet janë organizma që jetojnë gjatë dhe
koha ndërmjet brezave është më e gjatë. Pra evolucioni punon mjaft ngadalë në
ato raste, ndërsa fiziologjia duket se reagon shumë shpejt ndaj ndryshimeve
mjedisore dhe më pas i mbron këto korale nga stresi i shkaktuar nga
ngrohja globale.”
Por zoti Palumbi
thotë se organizmat nga pjesa më e ngrohtë e formacionit koralor kishin një
avantazh të dyfishtë.
“Gjenet i
ndihmojnë të jetojnë në këtë mjedis, por ashtu edhe fiziologjia për t’iu
përshtatur mjedisit. Koralet nga pellgu i ftohtë e nuk kishin gjenet e ujit të
ngrohtë.”
Zoti Palumbi
thotë se studimi tregon se ndërsa ngrohen oqeanet, disa korale mund të
përshtaten, por ai është i shqetësuar se ato nuk përshtaten aq shpejt sa do të
ngrohet planeti.
“Por kjo aftësi
për t’u përgjigjur fiziologjikisht dhe për të evoluar mund t’i japë disa dekada
kohë, pak kohë shtesë për t’iu përshtatur ndryshimit të klimës. Kjo na jep pak
kohë shtesë për të zgjidhur problemin.”
Rezultatet e
studimit, thotë zoti Palumbi, mund të inkurajojnë vendimmarrësit për të
vendosur përparësitë për të mbrojtur shkëmbinjtë koralorë që janë tolerantë
ndaj ngrohjes. Ai shton se ndërsa rriten temperaturat e oqeaneve, korale më të
përshtatshëm mund të ndihmojnë në ripërtëritjen e shkëmbinjve të dëmtuar
nënujorë.
