Lajme nga bota


Sa ndikojnë ndryshimet klimatike në përmbytjet në Gjermani?

Rreth 120 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur prej përmbytjeve janë regjistruar deri tani në Gjermani, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë. Stuhitë e forta dhe reshjet e shiut bënë që lumenjtë dhe rezervuarët e ujit të shpërthenin nga brigjet e tyre dhe përmbytjet e shpejta i shndërruan rrugët në përrenj të furishëm që merrnin me vete makinat dhe shkatërruan ndërtesat.

Gjatë javëve të kaluara Gjermania ka përjetuar ndryshime të shpeshta moti: temperatura të larta dhe thatësi të ndjekura nga reshje të fuqishme. Të mërkurën dhe të enjten (14./15.07) ky fenomen u shoqërua nga përmbytje katastrofike në rajone të shumta në të gjithë Gjermaninë perëndimore dhe vendet fqinje.

Ekspertët thonë se një mot i tillë ekstrem dikur ndodhte një herë në një brez, por se në të ardhmen mund të ndodhë më shpesh - dhe me më shumë intensitet - një shenjë kjo që ndryshimi i klimës po ndikon në jetën tonë.

Rritja e temperaturave i bën zhvillimet ekstreme të motit edhe më intensive. Kur nxehet ajri ai përmban më shumë lagështi, një fenomen që shkencëtarët e zbuluan në shekullin e 19-të. Një ngritje prej një grade e temperaturës e rrit me 7% aftësinë e ajrit për të konservuar lagështirën. Rritja e temperaturave globale çon gjithashtu në një avullim më të shpejtë të ujit në tokë dhe në det, duke shkaktuar më pas fenomene edhe më ekstreme atmosferike me reshje dhe stuhi më të mëdha.

"Si vend industrial Gjermania po nxehet dy herë më shpejt se niveli i ngrohjes globale." thotë Johannes Quass. "Kjo do të thotë që shanset e reshjeve të mëdha janë 20% më të larta krahasuar me shekullin e 19-të dhe 10% më të larta se kur kam lindur, pra para dyzet vjetësh."

Kur toka dhe sistemet e kullimit dhe drenazhimit nuk mund ta thithin ujin shpejt, ose faktorë si zhvillimi urban e pengojnë shpërndarjen e reshjeve, ujërat që rrjedhin në sipërfaqe mund të shkaktojnë përmbytje të rrëmbyeshme dhe dëme të konsiderueshme.

Po ashtu me shkatërrimin e disa llojeve bimore dhe të barrierave të tjera tokësore si rezultat i ndryshimit të temperaturës dhe modeleve të motit, shumë zona natyrore që dikur absorbonin reshjet dhe ujërat e përmbytjeve janë zhdukur.

"Për sa kohë që do të vazhdojmë të lëshojmë C02, ka të ngjarë që do të vazhdojmë të shohim shira të tillë të fuqishëm", thotë meteorologu Quass.

Për t’u njohur me artikullin, klikoni dw.com.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.