Lajme nga bota


Mali i Zi vihet në lëvizje për të shpëtuar kriporen e Ulqinit

Flamengo në kriporet e braktisura afër Ulqinit, Mali i Zi. Foto: Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve.

Qeveria malazeze njoftoi të mërkurën se kriporja e braktisur në qytetin bregdetar të Ulqinit do të jenë pronë e shtetit në një lëvizje për të shpëtuar një habitat të rëndësishëm për rreth 250 specie zogjsh që jetojnë dhe ndërtojnë atje foletë e tyre.

Kryeministri Zdravko Krivokapiç tha se Këshilli i Projekteve të Privatizimit dhe Kapitalit i qeverisë hodhi poshtë kërkesën e kompanisë private të falimentuar të kripës Bajo Sekuliç për të drejtat e pronës në zonë.

Kriporet u krijuan në vitet 1920 dhe ofruan një jetë më të mirë për punëtorët dhe zogjtë që ndërtuan foletë e tyre atje. E gjithë zona më vonë dikur i përkiste kompanisë shtetërore të kripës Bajo Sekulic, e cila u privatizua në 2002.

Pas falimentimit në 2012, mospompimi i ujit të ëmbël dhe pompimi i ujit të kripur vuri në rrezik habitatin e rreth 250 specieve të zogjve, duke përfshirë specie të shumta të rralla të tilla si pelikanët dhe flamengot dhe lejlekët.

Në vitin 2014, u hartua një plan për të kthyer pothuajse 15 kilometra katrorë të kripores në një kompleks turistik me hotele dhe fusha golfi.

Ish-qeveria e miratoi këtë plan, por ndryshoi mendim pas një ndërhyrjeje nga ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të cilët kërkuan ringjalljen e biodiversitetit të zonës, e cila kërkon që kriporet e Ulqinit të vihen përsëri në punë. Ata madje thanë se çështja mund të rrezikonte reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi dhe negociatat e tij të pranimit në BE.

Pas disa muajsh presion nga komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat mjedisore, Parqet Kombëtare dhe bordi i administratorëve të kriporeve në vitin 2015 nënshkruan një kontratë një vjeçare me të cilën shteti është i detyruar të mbrojë mjedisin dhe biodiversitetin e tij.

Në qershor 2019, komuna e shpalli kriporen e Ulqinit një park natyror, i cili në shtator 2019 u përfshi gjithashtu në listën Ramsar, duke e shpallur atë një zonë me rëndësi ndërkombëtare. Progres raporti i Komisionit Evropian në vitin 2020 vlerësoi zhvillimin në kapitullin 27 të bisedimeve të pranimit të vendit mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Kriporja është një zonë e rëndësishme për lloje të ndryshme zogjsh dhe foletë e tyre, të cilët kalojnë dimrin në bregun lindor të Adriatikut. Kjo zonë ka statusin IBA, Zonë e Rëndësishme për Zogjtë./ Reporter.al

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.