Lajme nga bota


Riformimi i lumit “Po”, mirëmbajtja e tij është thelbësore për ekonominë italiane dhe mjedisin

 Ky lum i lënë mënjanë për disa vjet, do të fillojë të “restaurohet” me një projekt afatgjatë mirëmbajtjeje. Lumi “Po”,  i cili shtrihet brenda zonës më të industrializuar të Italisë, është thelbësor për ekonominë italiane dhe mjedisin.

“Kriza e klimës ka rritur ndryshimet dramatike midis periudhave të reshjeve si në verë, ashtu edhe në dimër. Kjo ka shtuar shumë probleme përgjatë lumit. Pra, duke rivendosur rrjedhën e lumit, ne krijojmë një sfungjer të madh që mund të mbajë ujin gjatë periudhave të reshjeve dhe pastaj ta lëshojë atë në mënyrë progresive gjatë pjesës tjetër të vitit. Duke vepruar kështu, është e mundur të rregullohet cikli hidro-gjeologjik dhe të pakësohen rreziqet që lidhen me ndryshimin e klimës”, u shpreh Andrea Ludovici, menaxher i mbrojtjes ujore.

Qëllimi kryesor i ndërhyrjes është që të përmirësojë rrjedhën e lumit, duke lidhur shtretërit e lumenjve të braktisur.

Meuccio Berselli, Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit për mbrojtjen e lumit rrëfeu sesi do të realizohet kjo ndërhyrje. Ai tha se do të presin bimësinë dhe do të heqin pjesë të tokës që do të lejojë lumin kryesor të lidhet me këtë zonë, disa herë në vit. Në këtë mënyrë, zona specifike që tashmë janë identifikuar do të mbushen me ujë, me qëllim përmirësimin e biodiversitetit.

Komunitetet lokale që jetojnë dhe punojnë në rajonet ku kalon lumi do të përfitojnë, gjithashtu. Nga turizmi, te sigurimi i shërbimeve të lidhura me anije, biznesi i Jennifer Bacchi ka qenë i gjithi i lidhur me lumin “Po”.

“Shpresojmë që numri i vizitorëve të dyfishohet për të arritur midis 1600 dhe 2000 vizitorë në vit. Për një qytet kaq të vogël si i yni, do të thotë shumë. Potencialisht, ne mund të kemi një klientelë që është rreth gjysma e popullsisë që jeton këtu. Kjo do të thotë se edhe gama e ofertave tona do të rritet. Sa më shumë njerëz do të vijnë, aq më shumë do të rrisim shërbimet tona. Ne po presim të dyfishojmë të ardhurat e biznesit tonë”, u shpreh Jennifer Bacchi, shefe në “River Passion SRL”, një biznes turistik që ofron guida përgjatë lumit.

Projekti nuk do të përfundojë para vitit 2026, që shënon fundin e periudhës së alokimit të fondit të rimëkëmbjes së BE./ Euronews Albania

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.