Raporti i OKB për ndryshimet klimatike: ”Alarm i kuq për njerëzimin”
Nivelet e gazrave
serrë në atmosferë janë mjaft të larta dhe efektet e tyre në klimë do të ndihen
në dekada e shekuj- thuhet në raportin e përpiluar nga shkencëtarët e Panelit
Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC).
Me fjalë të
tjera, valët vdekjeprurëse të nxehtësisë, uraganet e mëdha dhe ekstreme të
tjera të motit që tashmë po ndodhin do të bëhen më të rënda. Vetëm të hënën
pamë 500,000 hektarë pyje të djegur në Kaliforni, ndërsa në Venecia turistët
kaluan përmes ujit deri në kyçin e këmbës në Sheshin e Shën Markut.
Sekretari i
Përgjithshëm i OKB-së António Guterres e përshkroi raportin si një “kod të kuq
për njerëzimin”.
Në një intervistë
për Reuters, aktivistja Greta Thunberg i bëri thirrje publikut dhe mediave të
bëjnë presion “masiv” ndaj qeverive për të vepruar.
Brenda tre
muajsh, konferenca e OKB -së për klimën COP26 në Glasgow, Skoci, do të përpiqet
të ndërmarrë aksione shumë më ambicioze në shpëtim të planetit. Duke u mbështetur
në më shumë se 14,000 studime shkencore, raporti i IPCC jep pamjen më të plotë
dhe të detajuar se si ndryshimi i klimës po ndryshon botën natyrore dhe çfarë
mund të na presë përpara.
Nëse nuk
ndërmerren veprime të menjëhershme, të shpejta dhe në shkallë të gjerë për të
zvogëluar shkarkimet,- thotë raporti,- temperatura mesatare globale ka të
ngjarë të arrijë ose të kalojë pragun e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius (2.7
gradë Fahrenheit) brenda 20 viteve.
Raporti thotë se shkarkimet
“e shkaktuara pa mëdyshje nga aktivitetet njerëzore” tashmë e kanë çuar
temperaturën mesatare globale deri në 1.1 gradë Celsius nga mesatarja e saj
para -industriale dhe do ta kishte ngritur atë 0.5 gradë Celsius më tej pa
efektin zbutës të ndotjes në atmosferë.
Ngrohja e
mëtejshme mund të nënkuptojë që në disa vende, njerëzit mund edhe të vdesin
vetëm nga dalja jashtë. Por edhe për të ngadalësuar ndryshimet klimatike botës
po i mbaron koha dhe nëse në vend të kësaj bota vazhdon në trajektoren e saj
aktuale, rritja mund të jetë 2.0C deri në vitin 2060 dhe 2.7C deri në fund të
shekullit.
Toka nuk ka qenë aq e ngrohtë që nga Epoka e Pliocenit afërsisht 3 milion vjet më parë – kur paraardhësit e parë të njerëzimit u shfaqën, dhe oqeanet ishin 25 metra më të lartë se sa janë sot.\ Nën këto skenarë me shkarkime të larta, Toka mund të ziejë në temperatura 4.4C mbi mesataren para industriale në dy dekadat e fundit të këtij shekulli.
Për t'u informuar më tepër mbi raportin, klikoni Raporti i OKB për ndryshimet klimatike.
