Praktika e riciklimit me 90% të plastikës nga vendet e BE do të zbatohet deri në 2024
Institucionet e
BE-së dhe vendeve anëtare kanë vendosur që të ndalojnë praktikën e deritanishme
me shishe të lëna kudo, kanaçe të hedhura në rrugë, si dhe një mjedis ujor dhe
tokësor të ndotur plot me mbetje plastike, si dhe do të ndalojë edhe 9 artikuj
plastik njëpërdorimshëm, të tilla si pjatat, gotat apo lugët plastike.
Bëhet fjalë për
një rikthim tek praktikat e vjetra të dikurshme, të kohës kur blerësit
detyroheshin të kthenin shishet e qelqit të birrës, të qumështit apo të kosit.
Drejt një praktike të tillë po shkojnë edhe vendet evropiane, praktikë e cila
pritet të hyjë në fuqi duke filluar që nga 1 janar 2022.
Direktiva merret
kryesisht me paketimin dhe sidomos paketimin plastik. Nuk do të ketë një ndalim
të shisheve plastike, por do të ketë një kontroll dhe grumbullim të rreptë të
tyre. Ligje të caktuara të vendeve anëtare flasin edhe për stimuj dhe
shpërblime ekonomike për shitësit me pakicë që do të përdorin këto metoda.
Deri tani është i
njohur riciklimi i shisheve të qelqit, dhe madje në disa vende të zhvilluara
riciklohet rreth 50% e shisheve plastike. Por direktiva e re evropiane kërkon
që të mbledhë të gjitha shishet plastike në mënyrë që ato të mos përhapen në
mjedis. E njëjta gjë vlen dhe për paketimet dhe ambalazhet e tjera plastike, të
tilla si qeset, përdorimi i të cilave do të jetë shumë i kufizuar. Sipas
parashikimeve të Komisionit Evropian, deri në vitin 2024 pritet që të
riciklohen rreth 90 përqind e shisheve plastike në vendet e BE-së./ ALERT
