Lajme nga bota


Dritat LED, ndikojnë në zhdukjen e insekteve

Në një studim në Mbretërinë e Bashkuar, u zbulua se dritat artificiale të rrugës prishnin sjelljen e fluturave të natës, duke reduktuar numrin e larvave të tyre. Dritat e rrugëve moderne LED duket se kanë ndikimin më të madh.

Ka dëshmi në rritje se popullatat e insekteve po zvogëlohen për shkak të ndryshimeve klimatike, humbjes së habitatit dhe pesticideve. Por, faktorët që ndikojnë janë komplekse dhe të ndryshme, duke përfshirë humbjen e vazhdueshme të pyjeve, livadheve dhe kënetave, mbi përdorimin e pesticideve, ndryshimet klimatike dhe ndotjen e lumenjve dhe liqeneve.

Përdorimi i dritave artificiale gjatë natës është propozuar si një faktor tjetër i rënies së insekteve, edhe pse shkalla e ndikimit të tyre mbetet e paqartë.

Një studim i fundit tregon, se ndotja e dritës mund të ketë ndikime të dëmshme mbi popullsinë vendase të insekteve, dhe për rrjedhojë, tek zogjtë dhe kafshët e tjera të egra që mbështeten në larvat për ushqim.

Studiuesit mendojnë se dritat e rrugës mund t'i pengojnë fluturat e natës të lëshojnë vezë ose i vendosin në rrezik insektet duke i bërë më të dukshëm, për t'u konsumuar nga grabitqarë të tillë si lakuriqët e natës. Nga ana tjetër, larvat që lindin nën dritën e rrugës, sidomos LED,  ndryshojnë zakonet e tyre të të ushqyerit.

Megjithatë, ekzistojnë zgjidhjet praktike që nuk komprometojnë sigurinë publike, shprehen studiuesit.

Këto  zgjidhje përfshijnë, zbehjen e dritave të rrugëve në orët e para, përshtatjen e sensorëve të lëvizjes ose përdorimin e filtrave të ngjyrave për të prerë gjatësitë valore më të dëmshme./ BBC NEWS

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.