BEI mbështet tranzicionin në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe të gjelbër
Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Komisioni Evropian (KE) dhe Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Republikës së Kroacisë, mbajtën takim me përfaqësuesit e sektorit energjetik të Kroacisë, për një “Seminar të Financave të Energjisë” ku prezantuan mundësitë e investimit dhe mekanizmin mbështetës drejt një tregu të rinovueshëm, të gjelbër dhe të bazuar në eliminimin e energjisë nga karboni.
Për të mbështetur
tranzicionin e energjisë dhe klimës në eliminimin e karbonit deri në vitin
2050, BE ka ngritur disa mekanizma dhe fonde të reja financimi dhe ka caktuar
rreth 20% të fondeve të programit Next Generation EU për objektivat e
Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
Seminari ofroi
një pasqyrë gjithëpërfshirëse të mundësive të financimit të BE-së, si dhe një
gamë të gjerë të produkteve të reja, shërbimeve këshilluese dhe mundësive të
financimit, të vendosura nga Banka Europiane e Investimeve, për nismat e
mbrojtjes së klimës dhe tranzicionin e energjisë në sektorët publikë dhe
privatë në BE.
Teresa
Czerwinska, nënkryetarja e BEI-së, tha: “Përmbushja e objektivave të BE-së për
klimën dhe energjinë, do të kërkojë investime thelbësore në sektorin e
energjisë dhe BEI dëshiron që Kroacia të përfitojë sa më shumë nga ky proces.
Këto investime do të ndihmojnë në frenimin e rritjes së mëtejshme të
temperaturave dhe transformimin e BE-së dhe Kroacisë në ekonomi të qëndrueshme
dhe ekologjike, të afta për të krijuar vende pune dhe të ardhura për qytetarët
e tyre, pa kërcënuar mjedisin.
BEI dëshiron që
Kroacia të marrë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të arritur tranzicionin
e energjisë me shpejtësi dhe efikasitet dhe seminari ynë është vetëm një mënyrë
për ta arritur këtë qëllim. Doja të falënderoja Ministrinë e Ekonomisë dhe
Zhvillimit të Qëndrueshëm për mundësinë për të punuar së bashku në këto çështje
thelbësore për të ardhmen e Kroacisë, BE-së dhe planetit”.
Ivo Milatic,
sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm,
tha: “Lidhur me sektorin e energjisë, ne filluam të marrim parasysh një qasje
ekologjike në vitin 2007, kur nisën projektet e para të energjisë së
rinovueshme. Ne gjithashtu mbështesim plotësisht transformimin në sektorin e
energjisë dhe jemi të gatshëm të vendosim ligjet e nevojshme për sektorin e ri
të energjisë së gjelbër.
Në Planet tona
Kombëtare të Energjisë dhe Klimës, ne tashmë kemi përcaktuar qëllime ambicioze
në lidhje me energjinë e rinovueshme. Më shumë se njëqind masa në NECP do të
zbatohen në dhjetë vitet e ardhshme dhe do të nevojiten investime serioze në të
gjithë sektorët. Ne e konsiderojmë Bankën Europiane të Investimeve, si një
partner të rëndësishëm në këtë proces”.
Ognian Zlatev,
shefi i përfaqësimit të BE-së në Kroaci, tha: “Ndryshimi i klimës dhe degradimi
i mjedisit janë një kërcënim ekzistencial për Evropën dhe botën. Përmbushja e
objektivave të BE-së për klimën dhe energjinë në kuadrin e Marrëveshjes së
Gjelbër Evropiane, do të transformojë BE-në në një ekonomi moderne, me burime
të efektshme dhe konkurruese. Prandaj, jam mirënjohës ndaj BEI-së për mbajtjen
e këtij seminari dhe doja t’u ofroja autoriteteve kroate gjithë mbështetjen
tonë në procesin e tranzicionit në një ekonomi të qëndrueshme dhe të gjelbër”.
Seminari i
Financimit të Energjisë buron nga Memorandumi i Mirëkuptimit, i nënshkruar në
janar 2021, midis BEI-së dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të
Qëndrueshëm të Kroacisë, i cili zgjeroi bashkëpunimin për zhvillimin dhe
financimin e projekteve kryesore të energjisë, qëndrueshmërisë dhe klimës në
vend.
Plani Kombëtar i
Energjisë dhe Klimës i Kroacisë (NECP) dhe strategjia kombëtare parashikojnë
investime të rëndësishme në të gjithë sektorin e energjisë, duke përfshirë
energjinë hidrike, fermat e erës, impiantet diellore, energjinë e hidrogjenit
dhe prodhimin e baterive elektrike, si dhe rinovimin dhe zgjerimin e rrjeteve
elektrike.
Në të njëjtën
kohë, investimet në efikasitetin e energjisë gjithashtu paraqesin një potencial
të rëndësishëm për të ulur emetimet e CO2 si dhe faturat e energjisë për
qytetarët dhe bizneset.
Përdorimi efikas
dhe në kohë i mbështetjes financiare dhe këshilluese nga BEI, së bashku me
instrumentet financiare dhe grantet nga Bashkimi Evropian, do të jenë
thelbësore për të siguruar një tranzicion të shpejtë dhe efikas, i cili kërkon
bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë midis BE-së, qeverisë, sektorit publik dhe
privat./ Revista Monitor
