Lajme nga bota


Në Gjermani po pakësohen rezervat ujore

Gjermania është në përgjithësi vend i pasur me ujëra, por në disa rajone uji po bëhet më i kursyer për shkak të ndryshimit të klimës, thotë ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze kur bën prezantimin e projektit të saj për strategjinë kombëtare të sigurimit të ujit.

Schulze është politikane e Partisë Socialdemokrate. Kur foli me redaksinë e gazetës Neue Berliner ajo tha, se: -“uji nuk mungon, por ka probleme me shpërndarjen. Prandaj është e domosdoshme që rajonet e pasura me ujë dhe ato të varfëra të kenë shpërndarje të barabartë."

Në strategjinë kombëtare për rezervat ujore ministrja Schulze kërkon ngritjen e një infrastrukture masive të ujërave. Për këtë duhen dhënë në dhjetë vitet e ardhshme nga 100 milionë euro çdo vit, pra gjithsej një miliardë euro.

Komunat dhe ujësjellësit duhet të bashkëpunojnë më shumë në nivel ndër rajonal dhe duhet të krijojnë shoqata rajonale, thuhet në plan. Krijimi i sistemit të shpërndarjes së ujit dhe rezervuarët ekstra për ujin, si për shembull ngritja e digave do të krijojnë mundësinë që plani të jetë „ekologjikisht i përballueshëm".

Përmbytje dhe thatësira do të na shoqërojnë në të ardhmen

"Ndryshimi i klimës përbën sfidë gjigande për ekonominë ujore dhe për të gjithë përdoruesit e tij," thuhet në projekt. „Verat do të jenë më të nxehta dhe më të thata. Reshjet e shiut do të shpeshtohen, kurse të borës do të rrallohen". Tre vitet e thata njëra pas tjetrës, arritën ta bënin të ndihej kjo gjë dhe pritet që edhe në vitet e ardhshme kjo të vazhdojë. Problemi tjetër është sfida e rëndimit të lumenjve dhe liqeneve me përmbajtje nitrati dhe fosfori. Përveç kësaj shqetësim përbëjnë edhe pjesëzat e plastikës në ujëra si dhe mbeturinat e medikamenteve.

Meqenëse në të ardhmen uji do të kthehet edhe më shumë në faktor ekonomik, nuk duhet që mungesa e tij të kthehet në disfavor gjatë konkurrencës, thotë ministrja Schulze. „Për mua është e rëndësishme të krijohet kuadri i duhur për shpërndarjen e ujit. Nuk duhet të bëhet luftë për të fituar ujin".

Ajo pati shpjeguar që vitin e kaluar strategjinë me masat e reja që duhen marrë dhe hierarkinë që duhet krijuar për përdorimin e ujit. Prioriteti kryesor ka të bëjë me furnizimin e njerëzve me ujë të pijshëm, gatimin dhe larjen, tha ajo, duke shtuar se: "pas kësaj çështja bëhet interesante.”/ DW.com

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.