Lajme nga bota


Pas protestave dhe betejave të vazhdueshme ligjore, dy hidrocentrale të vegjël në lumin Neretvica u ndaluan

Lumi Neretvica në Bosnjë dhe Hercegovinë ka qenë në qendër të një lufte kundër hidrocentraleve të vegjël për 15 vjet, por pavarësisht betejës së zgjatur, aktivistët lokalë nuk lëkunden në angazhimin e tyre për ta ruajtur lumin të egër. Lufta ka qenë e mbushur me zhgënjim dhe fitore për aktivistët. Është një luftë që shtrihet përtej brigjeve të Neretvicës, duke bashkuar njerëzit në të gjithë vendin për t’u dalë zot lumenjve.

Në nëntor 2020, dukej sikur, më në fund, federata e Bosnjës dhe Hercegovinës do të merrte parasysh kërkesat e aktivistëve në të gjithë vendin për të mbrojtur lumenjtë e vendit, shumë prej të cilëve janë lumenjtë e fundit të mbetur me rrjedhje të lirë në Evropë. Pas protestave lokale dhe “lutjeve” të koalicionit ndërkombëtar për mbrojtjen e ujërave të ëmbla, qeveria njoftoi se nuk do të japë më subvencione që mbështesin ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, si hap i parë.

Aktet e reja nënligjore, të cilat hynë në fuqi në janar 2021, gjithashtu i ridrejtuan ato subvencione drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, si dielli dhe era. Masat ka të ngjarë të parandalojnë, ose të paktën të vonojnë, ndërtimin e 162 hidrocentraleve të vegjël në 79 lumenj. Këto masa gjithashtu mbrojnë specie të rrezikuara që varen nga lumenjtë e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat ndihmojnë në krijimin e një pellgu ujëmbledhës të quajtur “Zemra Blu e Evropës”.

Por vetëm tetë muaj e gjysmë më vonë, aktet nënligjore duket se po zbehen në parlament, i cili nuk arriti të miratojë ligjin “Për Energjinë Elektrike” duke përdorur të ashtuquajturën “procedurë urgjente”. Nëse do të ishte miratuar, ligji do të kishte ndaluar përgjithmonë ndërtimin e qindra projekteve të vogla hidrike të planifikuara. Në vend të kësaj, parlamenti e shtyu ligjin për te “Dhomën e Popujve” ku do të ndjekë procedurën e rregullt ligjore, e cila mund të zgjasë me vite.

Më 14 qershor, më shumë se 700 aktivistë shkuan në lumin Neretvica për ta mbrojtur atë nga përpjekja e një investitori tjetër për të filluar punën ndërtimore. Ishte e fundit nga një varg protestash të mëdha të organizuara gjatë një viti e gjysmë.

Një protestë e shkurtit 2020 tërhoqi 1,200 njerëz dhe mblodhi 2,300 nënshkrime në një peticion për të ndaluar projektet e vogla hidrike, duke shtuar 3,000 nënshkrimet e mbledhura në internet. Kjo rritje e mbështetjes i shtyu aktivistët të krijojnë lëvizjen “Më lër të rrjedh i lirë”, një organizatë lokale për të mbrojtur lumin Neretvica. “Më lër të rrjedh i lirë” tani ka një rrjet të gjerë aktivistësh të cilëve mund t’u kërkosh ndihmë në çdo kohë.

Protesta më 14 qershor për të mbajtur të egër lumin Neretvica dhe lumenjtë e tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë tërhoqi më shumë se 700 njerëz.

Pavarësisht demonstratës së madhe në qershor, Parlamenti i Federatës nuk e votoi ligjin “Për Energjinë Elektrike” që do të ndalonte ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Ishte një goditje për aktivistët, pasuar nga lajme të tjera dekurajuese në korrik.

Në vitin 2007 Këshilli Bashkiak Konjic votoi për miratimin e hidrocentraleve të vegjël në lumin Neretvica pa mbajtur një dëgjim publik ose duke përfshirë komunitetin lokal.

Propozimi parashikonte vendosjen e 34 kilometrave tuba betoni dhe ndërtimin e 15 digave të vogla në Neretivca. Digat do të kishin prodhuar kolektivisht vetëm 24.5 megavat energji elektrike, një sasi modeste.

Investitori në digat, Elektoprivreda, kompania e shërbimeve publike, fillimisht kërkoi financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin e hidrocentraleve, por banka vendosi të mos e financojë atë bazuar në një studim të ndikimit në mjedis të publikuar në 2017. Studimi zbuloi se lumi ishte një nga habitatet e vetme të mbetura për disa specie të rrezikuara.

Pa u shqetësuar, Elektoprivreda bëri studimin e vet mjedisor, i cili anasjelltas përcaktoi se ndërtimi mund të shkonte përpara, duke filluar me dy hidrocentrale të vegjël.

Si rezultat i një beteje ligjore që po zhvillohet nga “Më lër të rrjedh i lirë”, aktivistët kohët e fundit mësuan se votimi i këshillit bashkiak dhe vlerësimet e ndikimit në mjedis ishin të pavlefshme gjatë gjithë kohës. Më vonë, Ministria e Energjisë dhe Minierave konfirmoi në një komunikatë për “Më lër të rrjedh i lirë” se ajo kurrë nuk kishte lëshuar një leje energjie për ndonjë projekt në lumin Neretvica.

Në gusht, Ministria e Brendshme ra dakord. Ata përcaktuan se lejet për dy hidrocentralet e vegjël ishin lëshuar në mënyrë të paligjshme.

Edhe pse lufta për të mbrojtur Neretvicën nuk është ende e përfunduar, aktivistët kanë një vizion se si mund të duket Bosnja dhe Hercegovina me lumenjtë e lirë dhe të egër.

Ndërkohë, aktivistët po ndihmojnë njerëzit nga Neretvica të lidhen përsëri me lumin e emrit të fshatit të tyre përmes një iniciative të quajtur “15 plazhe në vend të 15 HEC-ve”./ Citizens Channel



Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.