Përshtatja me ndryshimet klimatike: Një botë 3°C më e ngrohtë nuk është e sigurt
Shkarkimet e
gazrave serë kanë krijuar një planet më shumë se 1°C (1.8 ° F) më të ngrohtë se
në periudhën para-industriale kur jetonte Burke. Atmosfera e ngjeshur po krijon
një mot të nxehtë, në mënyra të paparashikueshme dhe vërtet të habitshme. Dhe,
me shkarkimet e vazhdueshme, kjo gjendje vetëm sa do të përkeqësohet.
Për fat të keq,
viti 2021 ndoshta do të jetë një nga vitet më të freskëta të shekullit XXI.
Nëse në dekadat e ardhshme, temperaturat rriten me 3°C mbi nivelet
para-industriale (siç mund të ndodhë edhe nëse të gjithë arrijnë të respektojnë
zotimet e vendosura tani), pjesë të mëdha të zonave tropikale rrezikojnë të
bëhen tepër të nxehta për të punuar jashtë në natyrë. Shkëmbinjtë koralorë
nënujorë dhe gjallesat që varen prej tyre, do të zhduken dhe pyjet ekuatorialë
të Amazonës do të kthehen në një hapësirë të shkretë. Dështimet e mëdha në
korrje do të bëhen të zakonshme. Shtresat e akullnajave në Antarktidë dhe
Groenlandë do të tkurren në një pikë pa kthim, duke çuar në rritjen e nivelit
të deteve jo me milimetra, si tani, por me metra.
Gjashtë vjet më
parë, në Paris, shtetet e botës u angazhuan për të shmangur më të keqen e këtij
makthi, duke eliminuar shkarkimet neto të gazrave serë, aq shpejt sa të mbanin
rritjen e temperaturës nën nivelin 2°C. Fatkeqësisht, përparimi i tyre drejt
këtij qëllimi nuk duket premtues. Por edhe sikur përpjekjet e tyre do të
rriteshin mjaftueshëm në mënyrë dramatike për të arritur objektivin 2°C, kjo
nuk do të ndalonte djegien e pyjeve sot; stepat do të vazhdonin të thaheshin
nesër, dhe lumenjtë do të dilnin nga shtrati dhe akullnajat e maleve do të
zhdukeshin.
Ulja e shkarkimeve
nuk është e mjaftueshme. Bota ka nevojë urgjente për të investuar në
përshtatjen me ndryshimin e klimës. Lajmi i mirë është se përshtatja është
përfituese nga ana politike. Njerëzit mund ta shohin qartë nevojën për të. Kur
një vend investon në mbrojtjen nga përmbytja, ky është një përfitim i
drejtpërdrejtë për qytetarët e vet dhe nuk ka ankesa si në përpjekjet për
zvogëlimin e gazrave serë, ku disa vende akuzohen se nuk po bëjnë asgjë. Gjithashtu
paratë nuk vijnë të gjitha nga buxheti publik, kompanitë dhe individët privatë
mund të shohin nevojën për përshtatje dhe të hidhen në veprim. Kur nuk e bëjnë
këtë, kompanitë e sigurimeve mund të reagojnë ndaj rreziqeve.
Disa përshtatje
janë të lehta. Sistemet për paralajmërimin e përmbytjeve në Gjermani tani me
siguri do të përmirësohen. Por probleme të tjera kërkojnë investime shumë më të
mëdha publike, si ato për administrimin e ujit në Holandë. Shtetet e pasura
mund t’i përballojnë gjëra të tilla. Por shtetet e varfra dhe popujt e varfër
kanë nevojë për ndihmë, prandaj Marrëveshja e Parisit mbi klimën parashikon
transferime vjetore prej 100 miliardë dollarësh nga vendet e pasura tek ato të
varfra.
Vendet e pasura
ende nuk kanë angazhuar siç duhet në këtë drejtim. Më 20 korrik, John Kerry, i
dërguari i posaçëm i presidentit Joe Biden për klimën, përsëriti zotimin e
Amerikës për të trefishuar mbështetjen e saj në 1.5 miliardë dollarë për
procesin e përshtatjes në vendet e varfra deri në vitin 2024, pjesë e një
lëvizjeje më të gjerë për të rritur investimet në vendet në zhvillim. Më shumë
përpjekje të tilla janë jetike.
Por ato
gjithashtu kanë kufijtë e vet. Disa nivele të temperaturës dhe lagështisë e
bëjnë të pamundur aktivitetin në natyrë. Dhe përmbytje të shpeshta mund të
çojnë në braktisjen e tokave.
Nëse përmbushet
qëllimi i Marrëveshjes së Parisit për të mbajtur ngritjen e temperaturës nën
nivelin 2°C, këta kufij nuk do të vihen në provë. Por përpjekjet për uljen e shkarkimeve
mund të mos përshpejtohen, siç është e nevojshme. Dhe sistemi i klimës mund të
rezultojë më i ndjeshëm se tani, siç besojnë disa shkencëtarë, duke krijuar më
shumë ngrohje për një ton karbon në atmosferë.
Prandaj është
gjithashtu e rëndësishme të studiohet forma më dramatike dhe e frikshme e
përshtatjes: gjeo-inxhinieria diellore. Kjo qasje kërkon që t’i bëjë retë ose
shtresat e grimcave në atmosferë të ngjashme me pasqyrat, duke reflektuar një
pjesë të dritës së diellit. Kjo nuk mund të sigurojë një përgjigje të
drejtpërdrejtë dhe të njëtrajtshme ndaj efektit serë; do të tentojë, për
shembull, të ulë reshjet disi më shumë sesa temperaturën, duke ndryshuar
potencialisht modelet e reshjeve. Por studimet gjatë 15 viteve të fundit kanë
treguar se gjeo-inxhinieria diellore mund të zvogëlojë ndjeshëm disa nga dëmet
që shkaktohen nga ngrohja e efektit serë.
Nuk dihet ende se
si skema të tilla mund të zhvillohen në mënyrë që të pasqyrojnë jo vetëm
interesat e zhvilluesve të tyre, por edhe ato të të gjitha vendeve. Vende të
ndryshme mund të kërkojnë sasi të ndryshme ftohjeje; disa mënyra për të vënë në
veprim gjeo-inxhinierinë diellore do të ndihmonin disa rajone, ndërkohë që do
të dëmtonin të tjerët. Dhe gjithashtu ekziston rreziku që kjo ide potenciale
mund të ulë nxitjen për të qenë ambiciozë në uljen urgjente të shkarkimeve të
gazrave serë.
Manipulimi i klimës që njerëzimi vetë e ka destabilizuar, nxit mendime të ngjashme të fuqisë dhe njëkohësisht të pafuqisë. Si një qenie njëkohësisht e papërfillshme dhe e gjithëfuqishme, njeriut nuk i mungon aftësia për të kontrolluar natyrën, por vetveten./ Revista MONITOR
