Zjarret masive “gjunjëzojnë” Spanjën
Mijëra banorë
janë detyruar të lënë shtëpinë e tyre ndërsa Spanja ka dërguar një njësi
ushtarake për të ndihmuar në shuarjen e
zjarrit pranë vendpushimit Costa del Sol. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez,
e bëri të ditur lajmin në një postim në Twiiter . “Ne do të punojmë në
koordinim dhe pa pushim përballë zjarrit që po shkatërron krahinën e Malagas”,
u shpreh ai.
Shtëllunga të
mëdha tymi kanë mbuluar malet duke ua vështirësuar punën zjarrfikësve që
përpiqen të frenojnë flakët në terrenin e thatë dhe të pyllëzuar.
Është shënuar
viktima e parë nga zjarret të cilat kanë përfshirë Spanjën. Viktima është një
zjarrfikës 44-vjeçar i cili ka humbur jetën në përpjekje për të shuar
zjarrin i cili ka rënë pranë qytetit
turistik të Estepona.
Teksa situata
vijon të jetë tepër kritike autoritet lokale kanë bërë të mundur evakuimin e më
shumë se 900 banorëve nga qytetet dhe
fshatrat Jubrique, Farajan, Pujerra, Alpandeire dhe Juzcar në kodrat e
përfshirë nga zjarret.
Sipas të dhënave
zyrtare nga ministria e Mjedisit zjarri ka shkrumbuar më shumë se 6,000
hektarë.
Agjencia rajonale
e zjarreve pyjore e Andaluzisë tha se 365 zjarrfikës janë në betejë me flakët,
të ndihmuar nga 41 avionë dhe 25
automjete. Autoritet spanjolle bëjnë me dije se zjarri është vënë
qëllimisht dhe hetuesit po punojnë për të zbuluar më shumë detaje.
Për shkak të
kushteve të vështira të terrenit dhe erës së fortë kjo e ka ndërlikuar më shumë
punën e zjarrfikësve.
Zjarret
shkatërruese kanë përfshirë disa shtete
të botës këtë vit, të nxitura nga
kushtet atmosferike, për të cilat ekspertët thonë se këto janë pasojat e ndryshimit
të klimës.
