Raporti: Ndryshimet klimatike mund të zhvendosin 200 milionë njerëz deri në vitin 2050
Në raportin e
botuar të hënën trajtohet ndikimet e ndryshimeve klimatike, sikurse mungesa e
ujit, ulja e produktivitetit të të korrave dhe rritja e nivelit të detit, që
mund të bëjnë që miliona të emigrojnë deri në vitin 2050, një zhvillim që mund
të ndodhë sipas tre skenarëve të ndryshëm.
Sipas skenarit më
pesimist, atij me një nivel të lartë emetimi të gazit karbonik dhe zhvillimi të
pabarabartë, raporti parashikon që 216 milionë njerëz të lëvizin brenda vendeve
të tyre në gjashtë rajone.
Këto të fundit
përfshijnë Amerikën Latine; Afrikën, Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe atë
Jugore, Azinë Lindore si dhe Paqësorin.
Në skenarin më
miqësor ndaj klimës, me një nivel të ulët emetimesh dhe zhvillim
gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm, numri i emigrantëve mund të jetë deri në 80%
më i ulët, por prapë të rezultojë në lëvizjen e 44 milionë njerëzve.
Raporti nuk
trajton ndikimet afatshkurtra të ndryshimeve klimatike, të tilla si efektet e
motit ekstrem.
Gjetjet
"ripohojnë fuqinë e klimës për të nxitur migrimin brenda vendeve",
thotë Viviane Wei Chen Clement, eksperte e çështjeve që lidhen me ndryshimet
klimatike në Bankën Botërore si dhe një nga autoret e raportit.
Ndërsa ndikimi i
ndryshimeve klimatike në migracion nuk është i ri, ai shpesh është pjesë e një
kombinimi faktorësh që i shtyjnë njerëzit të lëvizin. Njerëzit e prekur nga
konfliktet dhe pabarazia janë gjithashtu më të prekshëm nga ndikimet e
ndryshimit të klimës pasi kanë mjete të kufizuara për t'u përshtatur.
Raporti
paralajmëron gjithashtu se pikat e nxehta të migrimit mund të shfaqen brenda
dekadës së ardhshme e të intensifikohen deri në vitin 2050. Planifikimi është i
nevojshëm si në zonat ku njerëzit do të lëvizin, ashtu edhe në ato zonat që ata
do të braktisin.
Raporti
rekomandon ndër të tjera arritjen e objektivit për “emetimin zero të gazit
karbonik deri në mesin e shekullit për të pasur një mundësi për të kufizuar
ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius sikur investimet në zhvillimin e gjelbër,
elastik e gjithëpërfshirës, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit".
Ekspertët
paralajmërojnë se skenari më i keq ka shumë gjasa të ndodhë nëse nuk ndërmerren
veprime kolektive për të zvogëluar emetimin e gazit karbonik dhe për të
investuar në zhvillim, veçanërisht në dekadën e ardhshme./VOA
