Lajme nga bota


OKB paralajmëron për planet ndaj ndryshimeve klimatike

Së fundmi, shkencëtarët kanë konfirmuar se për të shmangur impaktet e kushteve të nxehta duhet që emetimet globale të karbonit të ulen me 45% deri në 2030., por analizat e reja kanë treguar se gjatë kësaj periudhe kanë gjasa të rriten me 16%. Kjo do të çojë në rritje të temperaturës me 2.7 C (4.9F) , që është më e lartë sesa në kohën para industrializimit dhe më e lartë se limitet e vendosura nga unioni ndërkombëtar.

“Rritja me 16% është një shqetësim i madh” shprehet Patricia Espinosa, negociatorja kryesore e OKB-së për klimën. “Është në kontrast me thirrjet nga shkenca për reduktime të shpejta, të qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë të emetimeve për të parandaluar pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike”.

Konferenca e Glasgoë COP26, ka si qëllim kryesor rritjen e shpresave për kufizimin e rritjes së temperaturave globale, duke bindur shtetet që të ulin shkarkimet e tyre.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, vendet kanë për qëllim, rishikimin e planeve për reduktimin e karbonit çdo pesë vjet. Por OKB thotë se nga 191 shtete që janë pjesë e marrëveshjes, vetëm 113 kanë arritur të përmirësojnë gjendjen.

Alok Sharma, ministri britanik, i cili do të drejtojë konferencën COP26 thotë që shtetet të cilat kishin plane ambicioze për klimën “tashmë po e ulin poshtë kurbën e shkarkimeve”. “Por pa veprimin e të gjitha vendeve, sidomos ato që kanë fuqi ekonomike më të lartë, rrezikohet që këto përpjekje të jenë të kota”.

Një studim nga Climate Action Tracker zbuloi se nga grupi i vendeve industriale drejtuese të G20, vetëm një pjesë e vogël përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA kanë forcuar objektivat e tyre për të ulur shkarkimet.

Në një analizë tjetër, Instituti Botëror i Burimeve dhe Analizës Klimatike, thekson se si Kina, India, Arabia Saudite dhe Turqia, të cilat janë përgjegjëse për 33% të gazeve serrë nuk kanë paraqitur ende planet e përditësuara.

Aty thuhet se Australia dhe Indonezia kanë të njëjtat objektiva për reduktimin e karbonit që kanë pasur edhe në 2015, ndërkohë që Marrëveshja e Parisit ka për qëllim të përfshijë një “mekanizëm të fortë” të shkurtimeve progresive më të larta.

Dhe studimet tregojnë se Brazili, Meksika dhe Rusia presin që emetimet të rriten, në vend që të tkurren.

Për vendet më të varfra, të cilat janë më të prekura nga rritja e nivelit të detit, nga nxehtësia dhe thatësira ekstreme, ulja e gazeve serë është prioritet.

Sonam P Wangdi, kryetar i grupit të Vendeve më Pak të Zhvilluara thotë: “Vendet e G20 duhet të ulin shkarkimet me shpejtësi për të zbutur ndryshimin e klimës. Këto janë vendet me kapacitetin dhe përgjegjshmërinë më të madhe dhe duhet ta trajtojnë këtë krizë si duhet”.

Ka shpresa që Kina mund të rishikojë planet kundrejt ndryshimeve klimatike para konferencës në Glasgow. Si shkarkuesi më i madh i karbonit synon të arrijë kulmin e shkarkimeve deri në 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri në 2060.

Një njoftim së shpejti për objektiva më ambiciozë do t’i jepte bisedimeve një rritje të konsiderueshme, por nuk ka të dhëna se kur apo nëse mund të ndodhë./ BBC News


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.