Lajme nga bota


Pejanët riciklojnë rrobat për të ruajtur mjedisin

Nxënës të gjeneratave të ndryshme në këtë shkollë po punojnë në një kreacion të fustaneve.

Ky kreacion do të shfaqet në Natën e Modës në Prishtinë, që do të mbahet në nëntor të këtij viti. E veçanta e këtij koleksioni është që u prodhua nga rroba të përdorura që u mblodhën në Pejë.

Dizejnatori që po udhëheq punën e nxënësve në shkollën e artit, Etnik Shala thotë për Radion Evropa e Lirë se moda që është e ndjeshme ndaj ruajtjes së ambientit duhet të shpërndahet më shumë në Kosovë. “Përderisa mundemi të krijojmë diçka të re, është shumë i rëndësishëm riciklimi. Unë po ndihem shumë mirë që ka filluar edhe në vendin tonë, duke pasur parasysh që është edhe një kosto pak më e lirë e krijimit”, thotë Shala.

Nxënësit pejanë, përveç këtij kreacioni, janë të përfshirë gjerësisht në një projekt të organizatës “Let’s do it Peja”, për riciklimin e tekstilit. Që nga fillimi i këtij viti, qytetarët e Pejës po dërgojnë rrobat që nuk po i përdorim më në disa pika grumbulluese në qytet.

Organizata “Let’s do it Peja” po i mbledh këto rroba për një projekt më të gjerë, të financuar nga Bashkimi Evropian me mbi 92 mijë euro dhe Komuna e Pejës afër 6 mijë euro. Pjesëmarrja e Komunës së Pejës në financimin e këtij projekti, sipas organizatorëve, është e vogël. Megjithatë nga komunat është ofruar hapësira për realizimin e projektit dhe mundësia e bashkëpunimit me shkollën e artit.

Tekstili pasi mblidhet nga pikat grumbulluese kontrollohet nga punëtorët e kësaj organizate për t’u kategorizuar në mënyrën sesi do të përdoret. Rrobat që zgjidhen për t’u shitur në dyqanin e rrobave të dorës së dytë, pastrohen dhe hekurosen. Rroba të tjera ridizajnohen nga nxënësit kreatorë, të cilët më pas shpërblehen edhe me një përqindje nga shitja e rrobave. Urim Xharravina nga organizata “Let’s do it Peja”, thotë se qëllimi kryesor i projektit ishte zvogëlimi i mbeturinave të tekstilit në natyrë.

“(Tekstili) është mbeturinë problematike, varësisht nga lloji i tekstilit, nëse është artificiale për shembull, atëherë nevojiten shumë vite që ajo të degradohet”, thotë Xharravina.

Sipas studimit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedis, industria e modës është fajtore për 10 për qind të emetimit vjetor të karbonit në gjithë globin.

Planet për riciklimin e rrobave në të gjithë Kosovën

Një dyqan në qytetin e Pejës dhe faqet online të krijuara nga organizata “Let’s do it Peja” janë vendet e vetme ku momentalisht mund të shiten rrobat e ripërdorura ose të ridizajnuara.

Xharravina thotë se mbledhja e rrobave vetëm në Pejë është pak dhe projekti duhet të zgjerohet më shumë. Ai thotë se fazat e ardhshme të projektit parashohin vendosjen e pikave grumbulluese edhe në qytetet tjera, përfshirë Prishtinën. Përveç kësaj, sipas Xherravinës, avancimi i projektit do të nisë edhe mënyra të reja të riciklimit të tekstilit. “Fazë në vazhdimësi e projektit është që tekstili, që nuk ka mundësi assesi të ripërdoret, të ridizajnohet, shkon në proces të riciklimit dhe në proces të ridestinimit ku më tutje do të prodhojmë disa blloqe (tekstil i ngjeshur) të ndryshme… të cilat do të shërbejnë për dizajnimin e brendshëm të objekteve”, thotë ai.

Sipas studimit të lartcekur, çdo vit, industria e modës përdorë 93 milionë kub ujë, që është i mjaftueshëm për konsum të 5 milionë njerëzve. Nga të gjithë fibra e përdorur për rroba, 87 për qind digjet ose hidhet në deponi të mbeturinave/ telegrafi.com

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.