Liderët botërorë zotohen t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030
Deklarata e
përbashkët do të nënshkruhet gjatë bisedimeve për klimën, të njohura si COP26,
nga liderët e vendeve që kolektivisht përbëjnë 85 për qind të pyjeve të botës,
tha përmes një deklarate Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson.
Në mesin e tyre
janë: Brazili, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, të cilat kanë disa
nga pyjet më të mëdha dhe më të rrezikuara në botë.
Ky është “hapi më
i madh përpara, në mbrojtjen e pyjeve të botës”, thuhet në deklaratën e
Johnsonit.
Zotimi do të
mbështetet me premtimin për të siguruar 12 miliardë dollarë financa publike nga
12 vende, deri në vitin 2025.
“Kjo do t’i
mbështesë aktivitetet në vendet në zhvillim, përfshirë restaurimin e tokës së
degraduar, do t’i trajtojë zjarret dhe do t’i përkrahë të drejtat e
komuniteteve indigjene”, thuhet në deklaratë.
Ekspertët e
mirëpritën zotimin, por kujtuan se një marrëveshje e mëparshme, në vitin 2014,
“ka dështuar të ngadalësojë shpyllëzimin”.
“Është një lajm i
mirë që kemi një angazhim politik nga kaq shumë vende për t’i dhënë fund
shpyllëzimit”, tha Simon Lewis, ekspert për klimën dhe pyjet në Kolegjin Universitar
të Londrës.
Por, bota “ka
qenë këtu edhe më parë”, me një deklaratë në Nju Jork në vitin 2014, “e cila
nuk ka arritur të ngadalësojë shpyllëzimin fare”, tha ai.
Rreth 7.2
miliardë dollarë shtesë do të vijnë nga financimi i sektorit privat. Drejtorë
ekzekutivë nga më shumë se 30 institucione financiare do të angazhohen
gjithashtu për t’i eliminuar investimet në aktivitetet që lidhen me
shpyllëzimin.
Kryeministri
Boris Johnson tha se “premtimet e papara” nënkuptojnë që bota “do të ketë shans
për t’i dhënë fund historisë së gjatë të njerëzimit si pushtues i natyrës dhe,
në vend të kësaj, njeriu do të bëhet kujdestar i saj”.
Pyjet janë
zhdukur me shpejtësi në mbarë botën, pasi drunjtë priten për të mbështetur
bujqësinë dhe ndërtimin.
Aktivistët e mjedisit
duan që shkatërrimi të ndalet, sepse pyjet thithin emetimet e dioksidit të
karbonit dhe në këtë mënyrë nxjerrin nga atmosfera një nga gazrat kryesorë që
kontribuojnë në ngrohjen globale.
Bisedimet në Gllasgou synojnë të arrihet objektivi për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit dhe pyjet në veçanti e natyra në tërësinë e saj janë shumë të rëndësishme për arritjen e këtij qëllimi./ Top Channel
