G20-ta premton veprime konkrete për çështjen e klimës
Përmes veprimeve
“kuptimplote dhe efektive” udhëheqësit e ekonomive më të pasura të botës kanë
rënë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar ngrohjen globale. Të
shtunën dhe të dielën (30 dhe 31 tetor) grupi G20 zhvilloi një samit në Romë të
Italisë.
“Ne e pranojmë se
frenimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius do të ketë
ndikime shumë më të ulëta në ndryshimet klimatike sesa nëse ajo është 2 gradë
Celsius”, thuhet në komunikatën përfundimtare të 31 tetorit.
Marrëveshja e
Parisit për klimën parasheh që vendet të angazhohen për të mbajtur rritjen e
temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius krahasuar me periudha
para-industriale.
Megjithatë, në
deklaratë nuk tregohet saktësisht se si do të arrihet kjo.
Deklarata
përfundimtare e samitit të Grupit të 20 (G20) në Romë përfshin një angazhim për
të arritur neutralitetin e emetimeve të karbonit “nga ose rreth mesit të
shekullit”.
Vendet megjithatë
janë zotuar të ndalojë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja të qymyrit
deri në fund të këtij viti – një porosi e fuqishme për vendet e varura nga
qymyri si Kina, Rusia dhe India.
Por, liderët e
G20-ës nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e
tyre.
Grupi G20, i
përbërë nga 19 vende dhe Bashkimi Evropian, përbën 80% të emetimeve në botë.
Aktivistët e
mjedisit kanë shprehur zhgënjimin e tyre për draftet fillestare të komunikatës,
duke e thënë se ajo nuk ishte mjaft e ashpër.
Kishte shqetësime
se arritja e një marrëveshjeje nuk do të ishte e lehtë, pasi midis liderëve që
nuk u paraqitën personalisht në samit është edhe presidenti i Kinës, Xi
Jinping.
Kina është
ndotësi më i madh në botë.
Planeti tani
është të paktën 1.1 gradë Celsius më i nxehtë se niveli para-industrial.
Shkencëtarët e klimës duan që ngrohja të kufizohet në 1.5 gradë Celsius për të parandaluar katastrofën klimatike./ Top Channel
