Portugalia mbylli termocentralin e fundit me qymyr
Termocentrali Pego në pjesën qendrore të
vendit ishte emetuesi i dytë më i madh i dyoksidit të karbonit në Portugali,
tha në një deklaratë shoqata mjedisore Zero, duke shtuar se mbyllja e burimit
më të madh të gazeve serrë është një ditë e rëndësishme për Portugalinë.
Kështu qymyri u hodh nga prodhimi i energjisë
elektrike nëntë vjet përpara datës së synuar, pasi Portugalia caktoi 2030 si
afatin zyrtar për përfundimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile. Belgjika,
Austria dhe Suedia tashmë kanë ndaluar përdorimin e qymyrit në prodhimin e
energjisë elektrike, kujton Reuters.
Megjithëse 60 deri në 70 për qind e energjisë
elektrike vjen nga burime të rinovueshme, Portugalia ende mbështetet shumë në
importet e karburanteve fosile për të përmbushur nevojat e përgjithshme të
energjisë. “Tani duhet të sigurohemi që kompanitë e energjisë elektrike të mos
zëvendësojnë qymyrin me gaz fosil ose biomasë të paqëndrueshme”, shpjegoi
Kathrin Gutmann, drejtoreshë e fushatës në Europe Beyond Coal.
“Natyrisht që nuk është një zgjidhje për të
hedhur qymyrin dhe për të kaluar në karburant pak më pak të keq,” tha
presidenti i Zero, Francisco Ferreira. “Në vend të kësaj, fokusi duhet të jetë
në zgjerimin e shpejtë të kapacitetit tonë të prodhimit të energjisë elektrike
nga energjia e erës dhe diellit,” shton Ferreira. Një draft dokument i publikuar
nga Reuters në qershor tregoi se BE po shqyrton rregulla më të rrepta për
klasifikimin e drurit si një burim energjie të rinovueshme./ BOTA SOT
