Serbia po sheh si zgjidhje energjinë bërthamore, ofrohet për ndërtimin e centraleve
Serbia është duke u orientuar drejt energjisë
bërthamore pas disa dekadash të moratoriumit për ndërtimin e centraleve
bërthamore.
Drejtoria për Sigurinë Bërthamore dhe Rrezatim
e Serbisë ka njoftuar se ka marrë pjesë në një stërvitje ndërkombëtare më 26
dhe 27 tetor në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këtë ushtrim u simulua një
aksident në termocentralin bërthamor Baraka.
Stërvitja u organizua nga Agjencia
Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qëllimi i saj ishte rritja e aftësisë së reagimit ndaj një aksidenti bërthamor
ose radiologjik.
Që nga viti 1989 në Serbi është në fuqi një
moratorium për ndërtimin e termocentraleve bërthamore. Vendimi kishte pasuar
katastrofën bërthamore në Çernobil të Ukrainës së sotme që atëbotë ishte pjesë e
ish-Bashkimin Sovjetik.
Megjithatë, disa në Serbi po e shohin si
zgjidhje energjinë bërthamore në kuadër të detyrimeve që ka marrë vendi për
integrim evropian. Evropa po bën plane konkrete për kalimin në burime më të
pastra të energjisë duke shmangur qymyrin në mënyrë që të kontribuojë në
zgjidhjen e problemeve klimatike.
Përmes një deklarate më 23 tetor, presidenti i
Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të jetë pjesë e
ndërtimit të një termocentrali bërthamor në Paksh të Hungarisë dhe se për këtë
kishte diskutuar tashmë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
“Jemi të gatshëm që të kemi një pjesë të vogël
të aksioneve, në mënyrë që të garantojmë sigurinë tonë energjetike ”, deklaroi
Vuçiq në Beograd pas një takimi me anëtarin serb të Presidencës së Bosnje dhe
Hercegovinës, Millorad Dodik.
Çfarë dihet për termocentralin e Hungarisë?
Ndërtimi i termocentralit bërthamor në Paksh
të Hungarisë filloi në vitin 1969, pasi tre vjet më parë kishin nënshkruar
marrëveshje Hungaria dhe Bashkimi Sovjetik i atëhershëm. Funksionimi i tij
filloi 13 vjet më vonë, përkatësisht në vitin 1982.
Termocentrali bërthamor në Paksh aktualisht
operon me katër reaktorë 500 megavat, dhe siguron gjysmën e prodhimit vendas të
energjisë elektrike. Një marrëveshje për zgjerimin e termocentralit bërthamor u
nënshkrua në janar të vitit 2014 në Novo-Ogarjevo të Rusisë.
Sipas marrëveshjes, Korporata Ruse e Energjisë
Atomike (ROSATOM) do të ndërtojë pa tender dy reaktorë 1200 megavat në Paksh,
me vlerë rreth 12 miliardë euro. Pjesa më e madhe e projektit është paraparë të
financohet përmes një kredie ruse në vlerë 10 miliardë euro me një normë
interesi prej katër deri në pesë për qind për 21 vjet.
Pjesa tjetër do të financohet nga Hungaria.
Marrëveshja ka nxitur debate në Hungari, një
vend anëtar i Bashkimit Evropian, për disa arsye, përfshirë mungesën e
diskutimit publik për projektin dhe koston e dyshimtë. Shqetësime ka pasur
gjithashtu për çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe të sigurisë.
Projekti po shkon shumë ngadalë. Dërgesat e
para ishin planifikuar për vitin 2023. Ky afat është zhvendosur në vitin 2030.
Në tetor të këtij viti, Agjencia Kombëtare e Energjisë Atomike (OAH) refuzoi
një kërkesë për licencimin e reaktorëve të rinj për arsye sigurie.
Shumica e punimeve ndërtimore dhe përgatitore
u janë dhënë kompanive me lidhje të ngushta me Qeverinë e Hungarisë duke
ngritur shqetësime për rreziqet e korrupsionit në nivel të lartë.
Pavarësisht sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
nga viti 2014 për shkak të aneksimit rus të Krimesë në Ukrainë, presidenti rus,
Vladimir Putin, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, po intensifikojnë
bashkëpunimin mes dy vendeve. Ata mbajnë takime të rregullta çdo vit dhe
ndikimi rus në Hungari është rritur gradualisht.
Ndër të parët që bëri thirrje për ndërtimin e
termocentralit bërthamor ishte drejtori i Ndërmarrjes Publike “Elektranat e
Beogradit”, Rade Basta.
Përmes një letre të hapur të datës 13 tetor,
ai bëri thirrje për heqjen e moratoriumit për ndërtimin e centraleve bërthamore
dhe u bëri thirrje kompanive dhe fondeve amerikane dhe evropiane të energjisë
që të investojnë në ndërtimin e një termocentrali bërthamor në Serbi.
“Centralet bërthamore janë një burim i
qëndrueshëm dhe i besueshëm i energjisë. Në shtetet anëtare të Bashkimit
Evropian (BE), ka 106 reaktorë bërthamorë që ofrojnë 104 gigavat energji
elektrike, që është 26 për qind e totalit të energjisë elektrike të prodhuar në
BE”, shpjegoi Basta në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Duke marrë parasysh që kalimi në prodhimin e
formave të pastra të energjisë, siç janë ato përmes paneleve diellore dhe erës,
merr shumë kohë, mbase me dekada, Basta e sheh ndërtimin e një termocentrali
bërthamor në Serbi si një zgjidhje kalimtare.
Ekuilibër energjetik mes Lindjes dhe
Perëndimit
Basta thotë se ndërtimi i një termocentrali
bërthamor kërkon teknologji shumë komplekse dhe është një projekt i vështirë
dhe se vendet e vogla, siç është Serbia, e kanë të vështirë të realizojnë me
forca vetanake një projekt të tillë.
“Në Ballkan po merr hov një konkurrencë e re e
fuqive të mëdha, kësaj radhe në ndërtimin e termocentraleve bërthamore, gjë që
i ndërlikon edhe më shumë problemet, me të cilat përballen tashmë këto vende”,
thotë Basta.
I pyetur se pse ftesa e tij iu bë kompanive
amerikane dhe evropiane dhe jo atyre nga Kina dhe Rusia, vende këto që kanë
rritur ndikimin në Serbi gjatë viteve të fundit, Basta tha se kjo është bërë
për të ruajtur ekuilibrin energjetik dhe politik.
“Rusia ka një prani të madhe në sektorin
energjetik në Serbi, ndërsa Kina në ndërtimin e infrastrukturës dhe për këtë
arsye nevojitet ekulibri i Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si një vend
neutral dhe i pavarur duke synuar t’u bashkohet kompanive të BE-së për të marrë
pjesë në një projekt të tillë“, tha ai.
Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus
dhe të dhënat nga Komuniteti i Energjisë, organi rregullator i BE-së, tregojnë
se me kyçjen e vendit në gazsjellësin e ri Rrjedha Turke, varësia nga Rusia
është rritur është më shumë.
Sipas Bastas, shumë vende evropiane varen nga
importi i gazit rus dhe në këtë mënyrë, ky vend kontrollon çmimet dhe rrit
ndikimin.
Sa i takon Kinës, ai tregon për rreziqet e
mundshme të bashkëpunimit eventual ndërmjet Serbisë dhe atij vendi në ndërtimin
e një termocentrali bërthamor.
“Ata (kinezët) janë kritikuar për projekte të
tilla qoftë përmes kompanive shtetërore, apo përmes subvencionimit të kompanive
vendore, borxhe kreditore, sepse në këtë mënyrë e deformojnë konkurrencën e
lirë dhe kushtet e tregut për të përmbushur qëllimet e tyre. Qëllimet e tyre
janë më shumë të karakterit gjeostrategjik sesa ekonomik", shpjegon Basta.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara (SHBA) kanë
zhvilluar një reaktor që përdor uranium më pak të pasuruar dhe i cili, sipas
tij, e ul ndjeshëm rrezikun e përdorimit derisa Kina dhe Rusia përdorin
reaktorë të cilët funksionojnë me uranium shumë më të pasuruar.
“Ekspertët thonë se reaktorët kinezë dhe rusë
nuk kontribuojnë në mospërhapjen e armëve, dhe rrjedhimisht në paqen botërore”,
përfundon Basta.
Lidhur me ftesën për kompanitë amerikane të
drejtorit të termocentraleve të Beogradit, Radio Evropa e Lirë e ka pyetur
Ambasadën amerikane, zyrtarët e së cilës kanë thënë se deri më tash nuk ka
pasur bisedime konkrete për investime të mundshme në termocentrale bërthamore.
Ambasadat e Kinës dhe Rusisë, deri në
publikimin e këtij teksti nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e
Lirë.
Ministria: Nuk jemi kontaktuar nga asnjë
kompani
Autoritetet serbe vlerësojnë se që nga
vendosja e moratoriumit 25 vjet më parë dhe deri më tani ka ndryshuar shumëçka.
Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim për
Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë.
Tani për tani, sipas kësaj ministrie, nuk ka
interes të shteteve dhe kompanive të huaja për ndërtimin e termocentralit
bërthamor në Serbi.
“Ministria nuk ka pranuar asnjë interesim të
kompanive për ndërtimin e termocentraleve bërthamore”, thuhet në përgjigje.
Përveç aspekteve ligjore, kjo ministri thotë
se duhet plotësuar edhe disa parakushte tjera të rëndësishme, siç janë kuadri
profesional dhe të tjera.
“Qëllimi kryesor në ministri është të
garantojë sigurinë energjetike dhe një furnizim të qëndrueshëm me energji me
çmime të qëndrueshme dhe ndikim të vogël në mjedis", thuhet në përgjigje.
Termocentralet bërthamore e përdorin një
reaksion kimik brenda reaktorit bërthamor si burim të energjisë.
Serbia në masë të madhe është e varur nga
qymyri si burim i energjisë, sipas të dhënave të Agjencisë së Energjisë së
Serbisë.
Rreth 70 për qind e energjisë elektrike më
2020 është prodhuar përmes termocentraleve me qymyr.
Me nënshkrimin e Deklaratës për Agjendën e
Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në nëntor të vitit 2020 në Sofje të
Bullgarisë, Qeveria e Serbisë mori përsipër që të heqë nga përdorimi plotësisht
qymyrin deri në vitin 2050.
Sipas raportit të rrjetit të organizatave
joqeveritare me seli në Pragë “Bankwatch” nga viti 2021, emetimet totale të
dioksidit të sulfurit nga termocentralet me qymyr në Serbi në vitin 2019 ishin
5,6 herë më të larta se sa lejohej./ SYRI.net
