Gjermania: Energjia bërthamore e rrezikshme, ne refuzojmë planet e BE-së
Qeveria gjermane
ka thënë se e konsideron energjinë bërthamore të rrezikshme dhe kundërshton
propozimet e Bashkimit Evropian (BE) për ta mbajtur këtë teknologji pjesë të
planeve për të luftuar ndryshimet klimatike.
Gjermania do të
mbyllë tri termocentralet e mbetura bërthamore deri në fund të këtij viti dhe
do të heqë gradualisht qymyrin deri në vitin 2030, ndërsa Franca fqinje synon
të modernizojë reaktorët ekzistues dhe të ndërtojë të rinj për të përmbushur
nevojat e saj të ardhshme për energji. Berlini zyrtar planifikon të mbështetet
shumë në gazin natyror derisa ai të zëvendësohet nga burime energjie që nuk
ndotin mjedisin.
Drafti i planit
të BE-së, për të cilin Associated Press kishte një pasqyrë, arrin në
përfundimin se energjia bërthamore dhe gazi natyror mund të konsiderohen të
sigurta për investim në kushte të caktuara. “Ne besojmë se teknologjia
bërthamore është e rrezikshme,” ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane Stephen
Hebestreit, duke vënë në dukje se çështja se çfarë të bëhet me mbetjet
radioaktive që mund të zgjasin për mijëra vjet mbetet e pazgjidhur.
Ai shtoi se
Gjermania “refuzon në mënyrë eksplicite” planet e BE-së në lidhje me energjinë
bërthamore. Aktivistët kanë kritikuar planin e Gjermanisë për të përdorur gazin
natyror, i cili është më i mirë se qymyri, por kur digjet, lëshon gjithashtu
dyoksid karboni, gazin kryesor në serë.
Megjithatë,
Gjermania pretendon se gazi natyror është vetëm një “urë” drejt zgjidhjeve
alternative jo ndotëse, afati për të cilat është viti 2045.
