Në dobi të klimës - Shërimi i kënetave të Irlandës
Në çdo hap toka e
mbuluar nga myshqet dhe kallamishtet fillon të shtypet. Ajo ndihet si në
suspacion, si në trampolinë. Evelyn Slevin, punonjëse e programit qeveritar
"The Living Bog", shqip "Këneta që jeton", demostron cila
është arsyeja: Ajo ecën disa hapa në të njëjtin vend dhe uji fillon të spërkasë
pika nën këpucët e saj të sportit. Toka moçalore është rezervuese e madhe
ujrash, ajo mbushet plot me ujë si një sfungjer sa herë që bie shi, gjë që
ndodh shpesh në Irlandë.
Tokat kënetore të
Carrownagappul-it në qarkun Galway të Irlandës perëndimore, janë një nga 900
tokat kënetore të Irlandës dhe Irlandës së Veriut, që vlerësohen në nevojë për
mbrojtje të madhe. Ajo është një nga të ashtuquajturat ligatina të fryra,
"raised bog" në anglisht që e shpjegon më mirë se sa Hochmoor në
gjermanisht, fryrjen e shkaktuar që nga epoka e fundit e akullnajave 10 000
vjetëve më parë, duke krijuar në mes një fryrje në formë kubeje.
Paul Connaughton
kujton se kur ka qenë ende fëmijë toka kënetore nuk e lejonte që të shihte
pyjet dhe shtëpitë që ndodheshin pas saj. Por me kalimin e viteve kubeja e kënetës
filloi të bëhej gjithnjë e më e vogël: Banorët e Carrownagappul filluan të
hapnin kanale në mënyrë që ujrat e shiut të rridhnin më shpejt dhe prenë
shtresat e torfeve njëra pas tjetrës, për të nxjerrë trofe për sobat në
shtëpitë e tyre.
Connaughton është
sot 77 vjeç, ai ka prerë për herë të parë torfë kur ka qenë shtatë vjeç, dhe
pas herës së parë ai ka nxjerrë çdo vit torfë.
"Një herë
këtu kanë qenë 20 vetë që nxirrnin torfë. Dhe toka kënetore tani duket sikur
sërish sikur askush nuk ka qenë aty që prej një shekulli," thotë
Connaughton, duke hedhur shikimin mbi sipërfaqen e madhe.
Kjo gjë ka të
bëjë me programin e rinatyralizimit, që sapo ka marrë fund në Carrownagappul.
Punën vendimtare e kanë bërë grumbujt e vegjël të dheut, që dallohen vetëm po
të shikosh me kujdes. Në mijëra vende, ekskavatorët kanë nxjerrë një copë toke
që e kanë hedhur për të bllokuar kanalet e kullimit të ujërave. "Ato kanë
bllokuar rrjedhjen e ujërave,” thotë Connaughton, "dhe nëse kjo gjë bëhet
milje të tëra herë pas here atëherë me kalimin e kohës ligatina fillon të
ngrihet sërish.”
Me këtë mënyrë u
bllokuan plotësisht apo pjesërisht 45 kilometra kanale kullimi. Në skajet e
moçaleve ku rrjedh më shumë ujë, janë përdorur barrierat me plastikë ose metal.
Ligatinat e
shkatërruara – një problem i madh për CO2
Në varësi nga
sasia e ujit, moçalet mund të jenë të mira ose të këqija për klimën. Nëse
myshqet dhe bimët e tjera të shtresave të sipërme bien nën ujë, atëherë ato nuk
kalben por kthehen në torfë kur ndodhen në mjedis acid.
Myshqet e botës
vlerësohet të thithin dyfishin e dioksidit të karbonit që thithin pyjet,
megjithëse ato përbëjnë vetëm 3 përqind të sipërfaqes së tokës. Për të
mbërritur tek torfa duhet ulur niveli i ujit. Kështu vihet sërish në lëvizje
kompostimi natyror, gjatë të cilit pjesë të lëndës bimore karbonike lëshohen në
atmosferë në formën e dioksidit të karbonit, pra CO2.
Emisionet e
dioksidit të karbonit që dalin nga tharja e zonave moçalore me torfu vlerësohen
të jenë 1,3 giga ton dyoksid karboni çdo vit, sasi që përbën gjashtë përqind të
emisioneve të CO2 të shkaktuara nga njeriu, dhe është sa një herë e gjysmë më
shumë se CO2 i shkaktuar nga transporti ajror.
Kështu që
argumenti më i rëndësishëm për rigjallërimin e tokave moçalore irlandeze është
CO2, thotë biologjia e specializuar për myshqet në Universitetin College
Dublin, Florence Renou-Wilson. "Edhe biodiversiteti është i rëndësishëm
dhe unë mund të flasë shumë për llojet e rralla të bimëve, por problemi
themelor është që një tokë moçalore e tharë çliron çdo ditë CO2 në atmosferë.
Nëse do ishim në gjendje të vinim një kapak, atëherë Irlanda do ishte shumë
afër realizimit të synimeve për klimën. Dhe biodiversiteti kthehet vetë."
Varësia e
Irlandës nga torfa
Për dekada me
radhë torfa vendase ka qenë burimi kryesor i energjisë në Irlandë, i cili e bëri vendin të pavarur nga importet
e energjisë. Ende në disa rajone 20 deri 25 përqind e ekonomive shtëpiake
ngrohen me torfë. Megjithëse ngrohja është më e keqe se sa me qymyr, torfa është
djegur në centrale për prodhimin e energjisë elektrike. Në vitin 2020 centrali
i fundit që përdor vetëm torfë doli nga rrjeti, një tjetër pritet të kthehet
deri në vitin 2023 për djegien e biomasave.
Ngjashëm po ndodh
me minierat e hapura të koncernit gjysmështetëror Bord na Móna që nxjerrin torfë
në sasi industriale, të cilat në fillim të vitit bënë të ditur se do të
ndërpresin përfundimisht prodhimin. 33 mijë hektarë tokë moçalore, që Bord na
Móna i ktheu në shkretëtirë me makineritë e mëdha që përdori, do të
rinatyralizohen tani me paratë që jepen nga fondi i rindërtimit pas Coronës i
Bashkimit Europian.
Jepen sinjale për
t'i thënë fund nxjerrjes së torfës
Gradualisht është
duke u rregulluar me ligj edhe nxjerrja e torfës për përdorim privat. Deri në
vitin 2020 nuk ka pasur asnjë plan shtetëror që të tregonte sa torfë lejohej të
merrej, thotë Renou-Wilson. "Nxjerrja e ligjeve për tokat me torfë ka qenë
e tmerrshme, si në Perëndimin e Egër." Tani hapet një kapitull i ri.
Më 7 maj 2011,
nxjerrja e torfës mori fund në Carrownagappul. Në atë kohë pati gati
konfrontime, kujton Paul Connaughton: Disa do donin më mirë të shkonin në burg
se sa të lëshonin përtokë "sléan”,
lopatën speciale me një shinë katrore, me të cilën pritet torfa.
Connaughton e ka
të shkruar në ballë që gjithë vitet e jetës ka qenë nxjerrës torfë: Mbi çizmet
e gomës ai ka pantallona me vija dhe një këmishë bojë qielli. Deri në vitin
2011 ai ka qenë për 30 vjet përfaqësues i konservatorëve në Dáil, parlamentin
irlandez. Sa herë që aty flitej për torfën, ai mbronte me forcë nxjerrësit e
torfës kundër vendosjes së ligjeve për ambientin. Por në fund të fundit tokat
kënetore si ajo e Carrownagappulit u deklaruan zona të mbrojtura kundër
dëshirës së tij, kështu që Connaughton e gjeti sërish vendin në tavolinën e
bisedimeve.
Pjesa më e madhe
e nxjerrësve të torfës e pranojnë ofertën e qeverisë: Po të heqin dorë nga
nxjerrja e torfës do të shpërblehen çdo vit me 1500 euro, për 15 vjet me radhë.
Connaughton dhe 30 të tjerë e pranojnë ofertën alternativë: Atyre u jepet pak
më shumë tokë që nuk mbrohet dhe aq shumë dhe ku ata mund të vazhdojnë të
nxjerrin ende torfë.
Përdorimi i
myshkut – për rigjenerim
Djemtë dhe vajzat
e tij kanë shtëpi moderne me ngrohje qëndrore – "vetëm se nganjëherë
vjedhin ndonjë briketë torfe nga hauri i babait për të ndezur një zjarrë të
vogël." Për shumë irlandezë torfa është e lidhur ende me emocione
pozitive- por në shoqërinë moderne ajo është duke zënë gjithnjë e më pak vend.
Gjatë pandemisë
shumë banorë kanë mësuar të shohin ligatinën në një mënyrë të re: si zonë ku
mund të shkojnë për të pushuar. Edhe gjatë vizitës sonë nuk kalon shumë kohë
dhe shfaqet një joggere, apo një grua që shëtit qenin. Punonjësja qeveritare
Evelyn Slevin thotë se është e rëndësishme që popullsia lokale të bëhet pjesë e
projektit. "Dhe duket se kjo ka funksionuar."
Muajt e ardhshëm
në Carrownagappul do të vendosen kunja druri në ligatinë dhe do të ngrihen
rrugë me dru. Pas pandemisë klasat e shkollave do të vijnë këtu të mësojnë për
ligatinën. "Kemi marrë një rrugë të mbarë," thotë Paul Connaughton.
"Do ishte dëm nëse njerëzit nuk do t'i shijonin përfitimet që sjell toka
moçalore.”
