Koalat drejt zhdukjes/Australianët ngrenë alarmin
Ngrohja globale, shirat e rrëmbyeshëm, tsunamet dhe zjarret masive në pyje kanë sjellë humbjen e jetëve të shumë njerëzve, por ndërkohë edhe të habitatit të shumë kafshëve anekënd botës.
Për shkak të ndryshimeve të forta klimatike, shumë specie janë futur në lista të ndryshme për t’u ruajtur dhe kujdesur për to, pasi janë në rrezik zhdukjeje.
Së fundmi, kanë qenë autoritetet australiane që kanë dhënë alarmin për koalat. Sipas tyre, prishja e habitateve dhe sëmundshmëria e lartë e këtyre kafshëve ka sjellë edhe uljen e popullatës së tyre në pyjet australiane.
Në vitin 2020, një hetim parlamentar paralajmëroi se speciet mund të zhdukeshin para vitit 2050 nëse nuk do të kishte një ndërhyrje urgjente. Në rajonin e Queenslandit numri i koalave është përgjysmuar që nga viti 2001 për shkak të thatësirës, zjarreve dhe shpyllëzimit, ndërsa nuk mungojnë edhe ato që shtypen në rrugë nga makinat, apo që vriten nga qentë.
“Brenda një dekade, për shkak të ndryshimeve të shpejta, koalat janë përfshirë në listën e kafshëve të rrezikuara dhe kjo është tronditëse,” tha Stuart Blanch, një shkencëtar pranë Fondit Botëror të Kafshëve të Egra - Australi. Fondacioni Australian i Koalave vlerëson se ka më pak se 100,000 Koala jetojn habitatet e tyre natyrale, ndoshta janë rreth 43,000, sepse zjarret masive të verës së 2019-2020-ës sollën humbjen e të paktën 6,400 koala.
