Lajme nga bota


Arsyet e mospërdorimit të biokarburanteve në industrinë e aviacionit.

Ka shumë gjasa që në një të ardhme të afërt një pjesë e fluturimeve ajrore të mundësohen nga vajrat e përdorura në gatim ose nga mbetjet bujqësore. Megjithatë, kjo nuk është një ide e re pasi në vitin 2011 u realizuan fluturimet e para të cilat u mundësuan nga këto karburante të qëndrueshme/biokarburantet (SAF-Sustainable Aviation Fuel).

Sipas shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, qëllimi i përdorimit të  SAF-ve është të reduktojë shkarkimet e karbonit me 80%.

Industria e aviacionit është zotuar se deri në vitin 2050, shkarkimet globale të karbonit do të jenë sa gjysma e shkarkimeve të vitit 2005. Më pas kjo industri synon të arrijë net zero, ose në mungesë të plotë të shkarkimeve, qysh në një dekadë pas kësaj. Ky është një plan jashtëzakonisht ambicioz, dhe në të cilin përdorimi i SAF mund të reduktojë në total rreth 50% deri në 75% të shkarkimeve, në varësi të skenarëve të ndryshëm që mund të zhvillohen.

E megjithatë lind pyetja pse nuk është në përdorim ky lloj karburanti?

SAF është një karburant “drop in”, që do të thotë se mund të përdoret në avionët ekzistues, me pak ose aspak modifikime.

“Kjo është kritike dhe shumë e dobishme për industrinë e aviacionit, sepse nuk ka nevojë për të investuar në infrastrukturë të re ose avionë të rinj, dhe është e mrekullueshme edhe për aeroportet, sepse ata mund të përdorin të njëjtën infrastrukturë magazinimi dhe furnizimi me karburant, nga ky këndvështrim, SAF është i shkëlqyer”, thotë Andreas Schafer, profesor i energjisë dhe transportit në University College London.

SAF ka një gjurmë të ulët karboni sepse prodhohet nga produkte të mbetjeve, ku karboni tashmë është shkarkuar, ose nga bimë që përdorin CO2 për t’u rritur.

Problemi është se aktualisht është shumë më i shtrenjtë për t’u prodhuar se karburanti i zakonshëm i avionëve, për shkak të rritjes edhe të cmimit të naftës.

“Nuk ka asnjë rast real biznesi që sektori të investojë në të për momentin,” shpjegon Schafer, që do të thotë se linjat ajrore nuk kanë asnjë nxitje/arsye për të përdorur SAF përveç reduktimit të shkarkimeve, por me çmimet aktuale dhe në mes të një krize globale të shkaktuar nga Covid , ky është një luks që ata nuk mund ta përballojnë.

Për të ulur çmimin, prodhimi duhet të rritet ndjeshëm dhe lloje të reja SAF duhet të dalin në treg.

Sot, shumica e SAF vjen në formën e biokarburanteve të prodhuara nga yndyrnat e mbetjeve, si vaji i përdorur për gatim, ose nga pemët vajore të rritura qëllimisht në tokë të degraduar. Megjithatë, në këtë moment lëndët e para për të furnizuar industrinë në një shkallë të gjerë nuk janë të mjaftueshme./ Scan Tv

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.