Lajme nga bota


BE do të detyrojë kompanitë kozmetike të paguajnë për të reduktuar ndotjen mikroplastike

Kompanitë kozmetike do të duhet të paguajnë më shumë për të pastruar ndotjen mikroplastike, pas negociatave të BE-së dhe marrëveshjes së re për trajtimin e ujërave të zeza.

Duke ndjekur parimin “ndotësi paguan”, kompanitë që shesin produkte farmaceutike dhe kozmetike do të duhet të mbulojnë të paktën 80% të kostos për trajtimin e mikroplastikës në ujërat e zeza urbane. Pjesa tjetër do të paguhet nga qeveritë, si masë e ndërmarrë për parandalimin e efekteve të dëmshme të mikroplastikës.

Qëllimi është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nga shkarkimet e dëmshme të produkteve farmaceutike dhe kozmetike që përfundojnë në trupat ujorë, gjë që do të përmirësojë cilësinë e ujërave dhe do të mbrojë shëndetin e njeriut.

Rregullat, të cilat janë rënë dakort nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, por që nuk janë miratuar ende zyrtarisht, rrisin kërkesën për të hequr nutrientët e tepërt nga uji dhe vendosin standarte të reja për mikrondotësit. Deri në vitin 2035, shtetet anëtare të BE-së do të duhet të trajtojnë dhe heqin lëndën organike nga ujërat e zeza urbane përpara se ta derdhin atë në mjedis. Deri në vitin 2045, këto shtete duhet të trajtojnë azotin dhe fosforin në ujërat e zeza. Brenda këtij viti, ato gjithashtu duhet të shtojnë një hap shtesë për të hequr një “spektër të gjerë” të mikrondotësve. Qeveritë do të duhet të monitorojnë ujërat e zeza për mikroplstikë dhe shumë kimikate të dëmshëm. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.