Përqendrimet atmosferike të dioksidit të karbonit kanë arritur nivele të reja
Përqendrimet atmosferike të dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjerë serë kanë arritur edhe një herë nivele të reja gjatë vitit 2018.
Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) thotë se rritja e CO2 ka kaluar rritjen mesatare të regjistruar gjatë dekadës së fundit. Nivelet e gazrave të tjerë, të tillë si metani dhe oksidi i azotit, gjithashtu janë rritur mbi mesataren.
Raporti i OBM shqyrton përqendrimet e gazrave në atmosferë, më shumë sesa thjesht shkarkimet.
Dallimi midis të dyjave është se shkarkimet i referohen sasisë së gazrave që shkojnë drejt e në atmosferë nga përdorimi i lëndëve djegëse, si djegia e qymyrit për energji elektrike dhe nga shpyllëzimi.
Përqendrimet janë ato që mbeten në ajër pas një seri ndërveprimesh midis atmosferës, oqeaneve, pyjeve dhe tokës. Rreth ¼ e të gjitha shkarkimeve të karbonit thithen nga detet, dhe një sasi e përafërt nga toka dhe pemët.
Duke parë të dhënat nga stacionet e monitorimit në Arktik dhe në të gjithë botën, studiuesit thonë se në vitin 2018 përqendrimet e CO2 arritën në 407.8 pjesë për milion (ppm), nga 405.5 ppm një vit më parë. Kjo rritje ishte mbi mesataren për 10 vitet e fundit.
OBM regjistron gjithashtu përqendrime të gazrave të tjerë, përfshirë këtu metanin dhe oksidin e azotit. Rreth 40% e metanit të shkarkuar në ajër vjen nga burime natyrore, siç janë ligatinat, me 60% shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, përfshirë bujqësinë dhe blegtorinë, kultivimi i orizit apo venddepozitimet (landfillet).
"Ne kemi nevojë për t'i përkthyer angazhimet në veprime dhe për të rritur nivelin e ambicies tonë për hir të mirëqenies së ardhshme të njerëzimit," tha Sekretari i Përgjithshëm I OBM, Petteri Taalas.
