Lajme nga bota


Një simbol i epokës Antropocene

“Mund të ketë më shumë se 60 miliardë prej tyre në planet”

Përse nuk përmenden karriget në Biblën e Mbretit Xhejms të Anglisë, ose në 30,000 rreshtat e shkruara të Homerit? Gjithashtu nuk përmendet asnjë e tillë as tek Hamleti i Shekspirit, shkruar në 1599. 

Por nga mesi i shekullit XIX, historia merr një drejtim krejt tjetër. Libri “Bleak House” i Çarls Dikens përmend karrigen në 187 raste. Çfarë ndryshoi? 

Të gjithë e dimë se kalimi i tepërt i kohës ulur në karrige nuk është mirë për ne. Jo vetëm që nuk është e shëndetshme, por ashtu si ndotja e ajrit, karriget janë duke u bërë pothuajse të pamundura që njerëzit e kohëve moderne ta shmangin.

Karriget tani janë kudo: në zyra, trena, kafene, restorante, lokale nate, makina, salla koncertesh, kinema, spitale, shkolla, salla leksionesh universitare dhe në shtëpitë tona. (Unë ju siguroj se në shtëpi keni më shumë sesa mendoni.)

Arritja më e lartë në shumë prej profesioneve tona akademike, quhet "karrige".

Ndoshta karriget duhet të jenë një nga sinjalet universale të mbërritjes së epokës së Antropocenit? Ashtu si të dhënat që kërkohen për të justifikuar ndryshimin e emrit të epokës sonë gjeologjike, karriget gjenden në çdo kontinent.

Sa i përket faktit se pse ka papritmas kaq shumë karrige, nuk ka ndonjë arsye të qartë, por konsiderohet si një bashkërrjedhje e fushave të ndryshme si moda, politika, ndryshimi i zakoneve të punës dhe nevojës për rehati. Kjo e fundit nuk kërkon shumë shpjegim në një kulturë në të cilën lehtësia dhe rehatia janë ndër shtytësit më të fortë të vendimmarrjes së konsumatorit.

Ndërsa karriget filluan të shfaqen me një frekuencë pak më të madhe në periudhën e hershme moderne, duket se ato u bënë shumë më të njohura në shekujt XVIII dhe XIX, gjatë Revolucionit Industrial.

Para shekullit të 18-të, një karrige ishte relativisht e lehtë për t’u gjetur, por ato gjenin pak përdorim nga shumica e popullsisë. Ashtu si dhe sot, të uleshe në një karrige të fortë prej druri për një periudhë të gjatë kohe, nuk ka qenë e lehtë, dhe karriget me tapiceri kanë qenë gjithmonë më të shtrenjta. Por zhvillimi i një kulture të re (duke nisur me karriget e importuara nga oborri francez i shekullit të 18-të) i dha shtysë popullarizimit të tyre.

Për shekuj të tërë, karriget janë shoqëruar vazhdimisht me fuqi, pasuri dhe status të lartë. Përdorimi i tyre ka qenë pothuajse i njejtë si nga shtresa e fshatarëve, deri tek familjet mbretërore. Ideja e karrigeve si një simbol i statusit vazhdon ende sot. Kreu i një kompanie apo organizate në gjuhën angleze gjithashtu quhet “a chairwoman” ose “chairman”. Pra, personi që mban vendin e karriges kryesore në institucion. Dhe është një e vërtetë, e pranuar në mënyrë universale, se karrigia më e mirë në çdo hapësirë pune i përket gjithmonë shefit.

Të ulur për kaq gjatë, me pjesën më të madhe të muskulaturës së kurrizit tonë të paangazhuar teksa mbështetemi në një karrige, nuk është çudi që me shtyllat tona të dobësuara, dhimbjet e kurrizit tashmë janë shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në nivel global.

Karriget janë aq të domosdoshme për të udhëhequr një jetë moderne sa që shumica e asaj që ne bëjmë duket e paimagjinueshme pa to. Studimi i kryer nga Fondacioni Britanik për Zemrën thotë se ne kalojmë rreth 9.5 orë në ditë të ulur. Kjo sjell disa probleme.

Ashtu siç kemi një mjedis Antropocen, në të njejtën mënyrë ne mund të klasifikohemi si njerëz Antropocen. Njerëzit e epokës së paleolitit përjetonin vdekje më të shpeshta në foshnjëri. Dhuna dhe plagët ishin gjithashtu shkaqe të zakonshme të vdekshmërisë më vonë. Njerëzit e kohëve të sotme, vdesin në mënyrë dërrmuese si pasojë e çrregullimeve metabolike siç janë diabeti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri - të gjitha të lidhura fort me pasivitetin: domethënë përdorimin e karrigeve.

Një studim i vitit 2012 shqyrtoi efektet e pasivitetit dhe mblodhi të dhëna të sjelljeve nga 7813 gra dhe zbuloi se ato që qëndronin ulur për 10 orë në ditë kishin telomere më të shkurtër (renditje të bazave në ADN, një tregues i plakjes qelizore). Zakonet e tyre të të qëndruarit ulur i kishin plakur biologjikisht rreth 8 vite. Disa studime madje sugjerojnë se efektet e të qëndruarit ulur për periudha të gjata kohe nuk mund të kompensohen nga një ushtrim i thjeshtë fizik. 

Këto studime dhe shumë të tjera dëshmojnë për faktin se ne duhet të mendojmë me kujdes për të investuar më tej në marrëdhënien tonë të dashurisë plot pasion me karrigen.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.