Fillimi i sezonit turistik ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në zonat turistike. Kjo ka bërë që çdo ditë të shfaqen gjithnjë e më shumë pamje të pakëndshme të mbeturinave të hedhura jashtë koshave apo në vende të papërshtatshme.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i bëri apel sot bashkive të aplikojnë gjobat për ndotësit e mjedisit, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Duke publikuar pamje të koshave të boshatisur dhe mbeturinave të hedhura në rrugë, Kumbaro deklaroi: “Ky është vetëm një nga shumë rastet me të cilat përballemi çdo ditë në vijën bregdetare. Fatkeqësisht, disa qytetarë dhe biznese ende nuk e kuptojnë dëmin që i shkaktojnë mjedisit dhe turizmit. Ata vazhdojnë praktikën e vjetër të hedhjes së plehrave ku t’u vijë më për mbarë, duke shëmtuar gjithçka përreth.”
“Nuk duhet të ketë tolerancë. Të gjitha policisë bashkiake duhet të zbatojnë gjobat, siç po vepron edhe Policia Bashkiake e Vlorës, sepse ndotja mjedisore është një krim që dënohet”, deklaroi Kumbaro.
Plani Kombëtar i Pastrimit Rrënjësor të Shqipërisë filloi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe vazhdon të zbatohet në të gjithë vendin.
Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë. Megjithatë, duke marrë parasysh rritjen e fluksit turistik gjatë tre viteve të fundit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve me fluks të lartë.