Një ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit ka vënë në alarm autoritetet në Tajlandë, pasi sipas organizatës “Basel Action Network” që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, është e mbushur me pluhur të rrezikshëm që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut.
Kompania Maersk konfirmoi se janë dy nga anijet e saj te mallrave që po transportojnë kontenierë me origjinë nga Shqipëria. Sipas të dhënave të kompanisë, 40 kontejnerë u ngarkuan në anijen Contship Vow më 4 korrik në portin e Durrësit të Shqipërisë. Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe do të transferohen përsëri në një anije të Maersk në Singapor më 18 gusht.
Anija ‘Maersk Campton’ ndaloi transmetimin e vendndodhjes së saj më 31 korrik. Kompania e transportit tha se nuk është e pazakontë që anijet të çaktivizojnë transmetimin e vendndodhjes për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Sipas Maersk, anija është aktualisht në Oqeanin Indian në rrugën e saj për në Singapor, me destinacion final Tajlandën.
Drejtori organizatës “BAN”, mënyra e veprimit të kapitenëve të anijes lidhet me faktin se duan t’i shmangen përgjegjësisë para ligjit, pasi janë të jetë e përfshirë në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme.
Ndërkohë Autoritetet doganore shqiptare bëjnë të ditur se ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF. Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se Kodi i Kuq është lëshuar në të gjithë botën, teksa grupet për Drejtësinë Ambientale kërkojnë ndalimin e anijes dhe kthimin e saj në Europë, pasi bëhet fjalë për 816 tonë mbetje të rrezikshme.
Top Channel