Padi për projektvendimet që prekin Zonat e Mbrojtura

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar lidhur me nismën e qeverisë shqiptare për…

By Mjedisi Sot

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar lidhur me nismën e qeverisë shqiptare për miratimin e dhjetë projektvendimeve që ulin nivelin e mbrojtjes për Zonat e Mbrojtura, duke paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, ku komenton mbi 10 projektvendimet e fundit që kanë kaluar për konsultim nga Këshilli i Ministrave për zonat e mbrojtura, duke i quajtur të njëanshme dhe shkatërrimtare.

Nëqoftëse këto projektvendime miratohen hapet rruga për ndërtime dhe projekte zhvillimi në Zonat e Mbrojtura.

“Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese në shtator, do jetë ajo kundër ndryshimeve të njëanshme dhe shkatërrimtare të ligjit të Zonave të Mbrojtura”, shkruan deputetja Ina Zhupa në njoftimin e saj, duke shtuar se beteja do të vazhdojë deri në fund për mbrojtjen e interesit publik dhe trashëgimisë kombëtare.

“Kumbaro e garanton vendin e saj si ministre jetëgjatë e qeverisë Rama pikërisht duke shërbyer si kamikaze në shkelje të konventave, Kushtetutës dhe interesit publik”, shtoi Zhupa.

Aktivistët mjedisorë theksojnë se këto akte heqin dhe pengesat e fundit për plane urbane në zonat e mbrojtura dhe ngrenë shqetësimin se ato ulin nivelin e mbrojtjes dhe rrezikojnë statusin e këtyre zonave.

Fjala e fundit mbi investimet strategjike dhe projektet urbane do i lihet autoritetit kryesor përgjegjës për këto zona – Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) – i cili është caktuar si organi që sanksionon rregulloret, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Zhupa theksoi se Këshilli Kombëtar i Territorit – një organ kolegjial që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, tashmë do të vendosë se ku do të jenë “pikat e vogla në këto zona të mbrojtura”, duke iu referuar një deklarate kontroverse të ministres së Mjedisit, Mirela Kumbaro në lidhje me ndërtimin e një resorti në Butrint.

“KKRT, është pikërisht organi që jep lejet për kullat e Tiranës dhe për resortet e investimet strategjike, tërësisht politike dhe e drejtuar nga Rama dhe ministrat e drejtorët e tij ku tashmë do vendosin se ku do jenë “pikat e vogla” në këto zona të mbrojtura”, theksoi Zhupa.

Deputetja e opozitës dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u shpreh se i kundërshton me forcë projektvendimi e qeverisë.

“Këto veprime konfirmojnë atë që thamë kur miratohej ligji se qëllimi është pikërisht përdorimi i zonave të mbrojtura me fokus ndërtimin dhe do jetë shkatërrimi përfundimtar i tyre”, përfundon ajo.

Burimi:

Reporter.al