Kalendari Mjedisor

Patologjitë e lëkurës nën efektet e ndryshimeve klimatike

Dermatiti atopik (i njohur edhe si ekzema), një ndër problemet më të përhapura të lëkurës në botë, përkeqësohet nga faktorët klimatikë dhe ndotja e ajrit. Kanceri i lëkurës përfaqëson kancerin më të zakonshëm në botë dhe shkalla e incidencës u rrit ndjeshëm në pjesën e fundit të shekullit të 20-të, me vlerat më të lartë […]

By Mjedisi Sot

Dermatiti atopik (i njohur edhe si ekzema), një ndër problemet më të përhapura të lëkurës në botë, përkeqësohet nga faktorët klimatikë dhe ndotja e ajrit. Kanceri i lëkurës përfaqëson kancerin më të zakonshëm në botë dhe shkalla e incidencës u rrit ndjeshëm në pjesën e fundit të shekullit të 20-të, me vlerat më të lartë të vërejtur tek popullatat me lëkurë të hapur. Megjithatë, janë ende të pakta kërkimet që lidhen me impaktin e ndryshimeve klimatike mbi këto shqetësime dermatologjike.

Një ndërlidhje komplekse

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndetin tonë është gjithnjë e më i dukshëm dhe i ndjeshëm. Ndër pasojat negative të këtyre ndryshimeve, një fenomen i vërejtur veçanërisht kohët e fundit, është dhe përkeqësimi i dermatitit atopik. Sipas një studimi të kryer nga ekspertët e Këshillit Ndërkombëtar të Ekzemës dhe të publikuar së fundmi në revistën “Alergjia”, dermatiti atopik është një ndër patologjitë e lëkurës më të përhapura në nivel global, e ndikuar nga faktorët klimatikë dhe ndotja e ajrit.

Së fundmi, një studim ka analizuar raste nga vende të ndryshme të botës për të hetuar ndikimin e ndryshimeve klimatike te dermatiti atopik dhe veçanërisht efektet e shkarkimit të gazeve serë në të tashmen por dhe projeksionet për të ardhmen. Është vërejtur se ngjarjet klimatike gjithnjë e më ekstreme kanë një impakt të konsiderueshëm në simptomat e kësaj sëmundjeje. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që kjo çështje të hetohet edhe më tej nga kërkuesit shkencorë, duke përfshirë analizën e aktivitetit afatgjatë të sëmundjes, ndryshimet në ndikimin dhe ndërlikimin e saj, si dhe mekanizmat bazikë që shpjegojnë trendet në nivel popullate.

Është theksuar se faktorë të ndryshëm mjedisorë mund të ndikojnë në shfaqjen dhe ecurinë e dermatitit atopik dhe se mekanizmat në këtë marrëdhënie janë shumë të ndryshme dhe komplekse. Faktorë mjedisore si rrezet UV, temperatura, lagështia, toksinat, dhe alergjenët mund të ndërveprojnë drejtpërdrejt me lëkurën ose me mikrobiomën e saj, receptorët e ndjeshmërisë dhe mekanizmat imunitarë të pranishëm në të.

Ekspozimi ndaj dozave të larta të rrezeve UV shkakton dëmtime të ADN-së, inflamacion të lëkurës dhe dëmtime të barrierës së saj mbrojtëse.
Për më tepër, është provuar që në doza të ulëta të rrezatimit UVB, efektet anti-inflamatore dhe mbrojtëse kundër bakterit Staphylococcus aureus rriten. Kjo përmirëson funksionimin e lëkurës si barrierë, duke rezultuar në zvogëlimin e rrezikut të zhvillimit të dermatitit atopik.
Njëkohësisht, temperaturat e larta dhe të ulëta ushtrojnë efekte negative, pasi në të dyja rastet mund të nxiten citokinat pro-inflamatore. Ekspozimi ndaj ozonit (O3) ka efekt inflamator në nivelin qelizor të lëkurës, veçanërisht nëse është i lidhur me rrezet UV. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se dehidratimi i lëkurës varet edhe nga temperatura e jashtme dhe koeficienti i lagështisë, të cilët mund të reduktojnë aftësinë e lëkurës për të operuar si barrierë mbrojtëse.

Sikurse shpjegojnë edhe kërkuesit, personat që vuajnë nga dermatiti atopik janë veçanërisht të ndjeshëm nga faktorët mjedisorë, duke pasur parasysh dhe vetë natyrën e sëmundjes (çrregullim imunitar i natyrës auto-imune, ndryshim në mikrobiomën e lëkurës, etj.). Pavarësisht kësaj, deri më tani studimet janë fokusuar në efektin e ndotjes së ajrit, duke lënë jashtë faktorë të tjerë të lidhur me klimën, sikurse janë valët e të nxehtit, përmbytjet, rritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve, etj.

Shpërndarja gjeografike e këtij studimi në 18 vende të ndryshme të botës nxjerr në pah ndërlidhjen ndërmjet ndryshimeve klimatike dhe dermatitit atopik (DA). Duke mos pasur të dhëna të mjaftueshme dhe duke marrë parasysh që ka zona të botës në të cilat ndryshimet klimatike mund të ndikojnë akoma edhe më shumë në këtë sëmundje, autorët kanë identifikuar mekanizmat direktë dhe indirektë të ndikimit të ndryshimeve klimatike mbi këtë sëmundje.

Për shembull, studimet kanë qënë kundërshtuese lidhur me ndikimin e rritjes së temperaturës dhe efekteve të saj mbi DA, duke sugjeruar se ky efekt mund të variojë në varësi të nivelit bazë të temperaturës së përcaktuar ose faktorëve të tjerë klimatiko-gjeografikë.
Për të sjellë një shembull tjetër, përmbytjet mund të rrisin rrezikun e lidhur me praninë e mykut dhe irrituesve në ajër dhe ujë. Në aspektin infrastrukturor, ato gjithashtu mund të vështirësojnë aksesin në qendrat e trajtimit në zonat e prekura, duke komplikuar diagnozën dhe trajtimin.

“Nëse emetimet e gazeve serë vazhdojnë të rriten gjatë shekullit të XXI-të, pa përpjekje të mjaftueshme zbutëse, intensiteti i rreziqeve klimatike do të jetë shumë më i lartë në 2053 sesa ai aktual, çka mund të shoqërohet me ndikim negativ edhe më të fortë në shëndetin e njeriut”, u shprehën ata, duke renditur mangësitë aktuale të kërkimit mbi këtë temë dhe idetë dhe perspektivat e mundshme për studime të ardhshme.

Tha Dr. Katrina Abuabara anëtare e Akademisë Amerikane të Dermatologjisë
Incidenca e Melanomës në Evropë dhe Shqipëri pas shekullit të 20-të

Melanoma është një tjetër nga problematikat e lëkurës të ndikuar ndjeshëm nga faktorët mjedisorë, mes të cilëve ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë është më i rëndësishmi. Provat e forta mbështesin hipotezën se faktorët që lidhen me ndryshimet klimatike, duke përfshirë hollimin e shtresës së ozonit, ngrohjen globale dhe ndotjen e ajrit, kanë të ngjarë të kenë kontribuar në rritjen e incidencës së malinjitetit të lëkurës globalisht dhe do të vazhdojnë të kenë një ndikim negativ në incidencën e kancerit të lëkurës për shumë dekada që do të vijnë

Kanceri i lëkurës përfaqëson kancerin më të zakonshëm në botë dhe shkalla e incidencës u rrit ndjeshëm në pjesën e fundit të shekullit të 20-të, me vlerat më të lartë të vërejtur tek popullatat me lëkurë të hapur.

Shtetet me incidencë të pritshme më të lartë të melanomës malinje në Evropë janë Zvicra, Norvegjia dhe Hollanda, ndërsa ato me incidencë të pritshme më të ulët janë Moldavia, Bosnje Hercegovina dhe Shqipëria. Ndërsa, sa i përket fatalitetit të pritshëm nga melanoma, vendet me përqindje më të lartë në Evropë janë Norvegjia dhe Sllovenia, krahasuar me vende si Bosnje Hercegovina, Malta dhe Shqipëria ku incidenca është më e ulët.