Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.
Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.
Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.
Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.
Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.
Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad.