Rënia e kapacitetit prodhues të hidrocentraleve si pasojë e ndryshimeve klimatike

Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në infrastrukturën tonë transportuese të ujit në mënyra të ndryshme,…

By Mjedisi Sot

Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në infrastrukturën tonë transportuese të ujit në mënyra të ndryshme, duke përfshirë rritjen ose uljen e nivelit të reshjeve, niveleve më të larta të detit dhe temperaturat më të larta. Sipas skenarëve të një studimi të fundit, ndryshimi i rregullave të funksionimit të digave për të përballuar përmbytjet ka një ndikim të vogël në prodhimin vjetor të energjisë elektrike në pellg. Humbjet në kapacitetin prodhues për hidrocentralet e përfshira në studim (Spilje dhe Fierzë) variojnë nga 0.5% deri në 3% në vit.

Çdo skenar ushtron presion të konsiderueshëm në asetet e rrjetit tonë të ujit. Rritja e reshjeve mund të shkaktojë dëme në infrastrukturë, ndërsa ulja e tyre mund të rrisë ndotjen e ujit për shkak të reduktimit të rrjedhës. Hidroenergjia është aktualisht burimi më i madh i energjisë së rinovueshme në mbarë botën. Kapaciteti total i instaluar arriti në 1,330 GW në vitin 2020, që përfaqëson 15.6% të prodhimit global të energjisë elektrike, ose rreth 60% të të gjithë prodhimit nga burimet e rinovueshme në mbarë botën.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) nënvizon rëndësinë e hidrocentraleve në raportin e saj. Raporti “Net-Zero deri në vitin 2050” sugjeron se bota do të duhet të dyfishojë kapacitetin hidroenergjitik deri në mesin e shekullit për të mbajtur temperaturën globale nën 1.5°C në krahasim me periudhën para-industriale. Kjo do të thotë se i njëjti kapacitet që u instalua në 100 vitet e fundit do të duhet të ndërtohet në 30 vitet e ardhshme.

Hidroenergjia është mjaft e ndërthurur me ndryshimet klimatike. Nga njëra anë, hidrocentralet kontribuojnë ndjeshëm në zbutjen e shkarkimeve të gazeve serë përgjegjës për ngrohjen globale por nga ana tjetër, ndryshimet klimatike ndikojnë në prurjet e lumenjve dhe në kapacitetin e hidrocentraleve. Prandaj, prodhimi i këtyre veprave infrastrukturore nuk është i qëndrueshëm dhe luhatet në përputhje me modelet e temperaturave dhe regjimin e reshjeve.

Raporti i Gjashtë i Vlerësimit (AR6) nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) vlerësoi se prodhimi global i hidrocentraleve ra me 4-5% krahasuar me prodhimin mesatar afatgjatë që nga viti 1980 për shkak të thatësirës. Megjithatë, ndryshimet që vijnë si pasojë e skenarëve të shumtë të klimës janë të një larmie të gjerë dhe variojnë sipas rajonit. Në pjesë të Evropës dhe Mesdheut, prodhimi i hidrocentraleve krahasuar me nievelet aktuale, mund të reduktohet me mbi 40% për shkak të rritjes së temperaturës sipas trajektores 3°C. Rreziqet nga përmbytjet dhe dëmet shoqërore parashikohen të rriten me intensifikimin e ngrohjes globale, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, sigurinë ushqimore, prodhimin e energjisë elektrike dhe fusha të tjera.

Në rastin e vendit tonë, pellgu i Lumit Drin luan një rol të rëndësishëm në sistemet energjitike të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ai siguron rreth 70% të furnizimit total me energji elektrike për Shqipërinë, 27% për Malin e Zi dhe 7% për Maqedoninë e Veriut.

Pellgu i Lumit Drin po përballet me sfida të shumta mjedisore, ku ndryshimet klimatike dhe përmbytjet përbëjnë shqetësimet kryesore. Ky studim ka analizuar ndikimin e këtyre fenomeneve në sistemin energjitik të pellgut, duke u fokusuar në një analizë gjithëpërfshirëse të optimizimit tekniko-ekonomik. Përmes kësaj qasjeje, synohet të kuptohet më mirë ndërveprimi midis ndryshimeve klimatike, dinamikës së përmbytjeve dhe prodhimit të energjisë në këtë ekosistem ujor kompleks.

Plani i Integruar i Menaxhimit të Energjisë Hidrike është mjet thelbësor për operatorët e digave. Ky plan mundëson planifikimin strategjik si në afat të shkurtër, ashtu edhe për të ardhmen e largët, duke përmirësuar dy aspekte kryesore: prodhimin e energjisë dhe kontrollin e përmbytjeve. Përmes kësaj qasjeje të integruar, operatorët mund të balancojnë më efektivisht nevojat për gjenerim energjie me kërkesat për siguri dhe menaxhim të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Në analizën e këtij skenari, diferenca në disponueshmërinë e ujit për shkak të ndryshimit të klimës rezulton në një rënie të ndjeshme (15-52% në vit) të gjenerimit të energjisë hidrike brenda pellgut deri nga mesi i shekullit të XXI-të. Humbjet në kaskadën shqiptare janë më të mëdha se në pjesët e tjera, dhe arrijnë mesatarisht deri në 2,000 GWh/vit.

Në kuadër të planifikimit me kosto-efektiv të furnizimit me energji elektrike, burimet e rinovueshme alternative mund të konsiderohen si zgjidhje kyçe. Këto burime janë thelbësore për zbutjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë energjeiike, sidomos në perspektivën afatgjatë. Diversifikimi i burimeve të prodhimit, përmes integrimit të teknologjive të ndryshme të rinovueshme, jo vetëm që i redukton kostot por edhe forcon qëndrueshmërinë e sistemit energjitik përballë sfidave klimatike.

Vetë për nga natyra e tyre, ndryshimet klimatike kanë një ndikim afatgjatë, çka nxjerr në pah nevojën për planifikim afatgjatë dhe perspektivë investimi. Analiza tregon se dielli dhe era mund të luajnë një rol të rëndësishëm në kornizën e burimeve alternative të furnizimit me energji elektrike të vendeve pjesë e Basenit të Lumit Drin, dhe të kompensojnë kësisoj, reduktimet e mundshme, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Përdorimi i energjisë diellore dhe asaj të erës kontribuon në nxitjen e pavarësisë energjitike dhe mundëson reduktimin e importit të energjisë elektrike me 65% për Shqipërinë dhe 25% për Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi, implikimet financiare nuk janë të imëta. Kostoja e përgjithshme e sistemit rritet nga 34.7 miliardë euro në 155 miliardë euro në skenarin më të keq.

Ky ndryshim i kostos është kryesisht i nxitur nga rritja e instalimeve të energjisë diellore dhe të erës, për të kompensuar rënien e prodhimit hidro-energjitik nga pellgu i Drinit, kombinuar me ndryshimet e derivuar si pasojë e sasisë së importit e energjisë elektrike. Ky mund të përbëjë fare mirë një tregues tjetër të ndikimit të ndryshimeve klimatike në sistemet elektrike të vendeve të në të cilat shtrihet ky pellg.

Sipas skenarëve të këtij studimi, ndryshimi i rregullave të funksionimit të digave për të përballuar përmbytjet ka një ndikim të vogël në prodhimin vjetor të energjisë elektrike në pellg. Humbjet në kapacitetin prodhues për hidrocentralet e përfshira në studim (Spilje dhe Fierzë) variojnë nga 0.5% deri në 3% në vit.

Për sa u përket parashikimeve të ndryshimeve klimatike, studimet e ardhshme mund të eksplorojnë një gamë më të gjerë skenarësh dhe modulimesh klimatike duke përdorur regjime të ndryshme hidrologjike për të përcaktuar shkallën e pasigurisë mbi ndikimin e kushteve klimatike.

Burimi:

https://www.researchgate.net/publication/371417415_Hydropower_and_climate_change_insights_from_the_integrated_water-energy_modelling_of_the_Drin_Basin

Dr. Klodian Zaimi, Universiteti Politeknik i Tiranës