Mjedisi Sot 151
Shpëtimi i planetit tonë, nxjerrja e njerëzve nga varfëria, rritja ekonomike… janë e njëjta gjë dhe e njëjta betejë. Ne duhet të lidhim pikat ndërmjet ndryshimeve klimatike, mungesës së ujit, mungesës së energjisë, shëndetit global, sigurisë ushqimore dhe fuqizmimit të gruas.
Zgjidhja për një problem duhet të jetë zgjidhja për të gjitha. Ban Ki-moon
Sfidat me të cilat përballen individët, familjet dhe shoqëritë sot janë më komplekse se kurrë më parë. Zhvillimet me të cilat ata përballen dhe interesat për zhvillim janë po aq të mëdha. Sasia e informacionit dhe shpejtësia e prodhimit të tij nuk ka qenë kurrë më parë si në nivelet e sotme. Megjithatë, kjo nuk i ka bërë njerëzit detyrimisht më vigjilentë e më të vëmendshëm ndaj brishtësisë së vetë jetës.
Si në rrafshin global ashtu dhe atë të ngushtë, të një familje të veçantë kudo në botë, instikti për të menaxhuar kompleksitetin e jetës është reduktuar ndjeshëm.
Nëse në të shkuarën një familje do ndërtonte strehën e saj në kodrinë, sot e ndërton sa më afër rrjedhës ujore. Nëse në të shkuarën një familje prodhonte ushqim dhe ruante ushqimin duke e racionuar sipas nevojës, sot ajo varet nga ushqimi që i siguron një industri mijëra kilometra larg. Nëse një familje do të ngrohej me dru zjarri apo do të ndriçonte shtëpinë me një pajisje të thjeshtë, sot ajo pret energjinë që prodhohet nga një industri e stërmadhe.
Është e vërtetë se njerëzit harrojnë! Kështu ecën jeta përpara. Njerëzit mësohen me normalen dhe sikur katastrofa të ketë ndodhur pak vite më parë. Interesi i parë është ai ekonomik, larg atij social e shumë larg atij mjedisor. Por, ndërkohë që njerëzit sfidojnë pa ndalim natyrën, natyra i jep sinjale dhe më të forta. Ndërkohë që njerëzit rrisin skepticizmin përballë ndryshimit të dukshëm, natyra i rrëmben pasurinë dhe për fat të keq dhe jetën.
Buletini i IGJEUM i datës 8 nëntor 2016, u skuq i gjithi duke paralajmëruar shira të jashtëzakonshme, përmbytje, rrëshkitje dheu e dëborë. E ashtu ndodhi! I gjithë vendi u bë dëshmitar i pasojave të shpejta dhe të mëdha të efekteve të reshjeve. Përmbytje shtëpish, tokash, sistemesh të ujit të pijshëm, rrugëve ndërlidhëse, energjisë, dëmtimit të argjinaturave e veprave lidhëse dhe për fat të keq humbjes së jetës në njerëz.
Brishtësia e jetës u duk qartë brenda një harku prej pak orësh. Sistemi u zunë në befasi dhe stili ynë i jetesës u sfida dhe një herë tjetër pranë Vjosës e Bunës, pranë Matit, pranë Lanës, pranë Ishmit, pranë Tiranës….
A janë këto të mjaftueshme për të treguar se jetojmë në sisteme të brishta? A mjafton kjo që informacioni dhe dija për ndryshimet e klimës duhet përvetësuar me seriozitet? A është momenti të rishikohen interesat tona primare?
