Data 3 maj shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila përbën parakusht thelbësor për një shoqëri demokratike. Kjo ditë synon të risjellë në vëmendjen qytetare rëndësinë e një shtypi të lirë dhe të pavarur, në përkrahje të transparencës, lirisë së të shprehurit dhe kultivimit të shoqërive më të informuara. Për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias dhe komunikimit, në këtë ditë pëkujtohen kolegët e tyre të rënë apo përndjekur në krye të detyrës ose për shkak të misionit, në zona konflikti apo si pasojë e mbulimit të aferave korruptive dhe kriminale anekënd globit, si dhe paraqet një pasqyrë të gjendjes së lirisë së shtypit përmes raporteve të tilla si “Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit”, publikuar çdo vit në këtë datë nga “Reporterët pa Kufij”.
Referuar këtij të fundit, kërkimi për zbulimin e së vërtetës mund të shoqërohet me kosto të larta. Vitin e kaluar, u shënuan 99 vrasje ose ekzekutime të gazetarëve, një shifër që është 44% më e lartë se ajo e vitit 2022, dhe më e larta që prej vitit 2015. Lufta në Rripin e Gazës, nisur në muajin tetor të vitit të shkuar, përbën dhe shkakun kryesor të kësaj rritjeje galopante. Pesha specifike që ajo zë në vrasjen e gazetarëve është ndër më të lartat në historinë e cilitdo konflikti të viteve të fundit.
“Që prej fillimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, gazetarët kanë paguar çmimin më të lartë, jetën e tyre, për të mbrojtur të drejtën tonë për të vërtetën. Sa herë që një gazetar vdes ose lëndohet, ne humbasim një fragment të asaj të vërtete”, u shpreh Drejtori i Programeve pranë Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, z. Carlos Martinez de la Serna.
Gjithashtu, UNESCO zhvillon çdo vit në këtë ditë të shënuar një konferencë me pjesëmarrjen e gjerë të përfaqësuesve të medias, shoqatave të tyre, si dhe agjencive të ndryshme që e trajtojnë çështjen e lirisë së medias. Konferenca e sivjetshme zhvillohet në Santiago, të Kilit dhe i kushton një rëndësi të veçantë fokusit mjedisor, duke mbajtur titullin “I gjithë shtypi në emër të planetit: Gazetaria përballë krizës mjedisore” (A Press for the Planet: Journalism in the Face of the Environmental Crisis). Në këtë event shpërndahet Çmimi “Guillermo Cano” për Lirinë e Shtypit në Botë, dedikuar individëve, organizatave, instituteve apo aktorëve të tjerë mediatikë që kontribuojnë në promovimin e lirisë së medias, e veçanërisht kur e bëjnë këtë në terrene armiqësore dhe me rrezik të shtuar. Çmimi mban emrin e gazetarit kolumbian Guillermo Cano Isaza, i ekzekutuar me porosi të baronëve të drogës, më 17.12.1986, përballë zyrave të redaksisë së tij, “El Espectador”, në Bogota.
Ndërkohë, teksa e rikthejmë sërish fokusin te çështjet me ndjeshmëri mjedisore, numri i gazetarëve përgjegjës për mbulimin e tyre, të sulmuar apo vrarë gjatë vitit të shkuar, ka ardhur drejt rritjes dhe vazhdon të përbëjë ndër fushat më të rrezikshme për t’u mbuluar; në vend të dytë vetëm pas raportimit nga zonat e konflikteve. Pavarësisht kësaj rritjeje, rastet që shkojnë drejt procedimit penal mbeten të cunguara dhe dënimet në rast konstatimi të shkeljes edhe më të pakta.
Për më tepër, vërehet se shpeshherë ligjet dhe rregullat përdoren vazhdimisht kundër reporterëve të çështjeve mjedisore. Ndër ndodhitë më të zakonshme këto vitet e fundit, ka qenë dhuna e ushtruar nga forcat policore përkundrejt gazetarëve të fokusuar në raportimin e çëshjteve mjedisore në aktivitete dhe protesta të ndryshme, çka jo rrallëherë ka përfunduar deri në ndalimin ose arrestimin e tyre.
Këto arrestime kanë nxitur pakënaqësi në raport me lirinë e shtypit edhe në vende përgjithësisht ose pjesërisht të lira, si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Franca, Spanja, Kanadaja, Australia, Shtetet e Bashkuara, etj., ku ndalimet e gazetarëve që kanë mbuluar çështjet mjedisore kanë qenë dhe më të shpeshta.
Edhe pse tashmë është e qartë që raportimi i krimeve përkundrejt natyrës gjeneron më pak klikime dhe kryetituj sesa konfliktet e nxehta në Lindjen e Mesem apo Ukrainë, mjedisi vazhdon të përbëjë fushë me ndjeshmëri dhe risk të lartë, karakterizuar nga mbrojtje ligjore shumë e dobët dhe komplicitet shtetëror me palët kundërvajtëse.