Ngjarjet ekstreme të motit po ushtrojnë ndikime drastike në tokë (sidomos në tokën bujqësore), mjedis dhe në ekonominë e Shqipërisë. Shkretimi i tokës, erozioni, rrëshqitjet e dherave dhe degradimi i terrenit si pasojë e ndryshimeve klimatike, kanë prekur 2/3 e sipërfaqes totale bujqësore dhe si pasojë, janë shoqëruar me humbje të biodiversitetit dhe kapacitetit prodhues.
Ngjarjet ekstreme të motit, rrëshqitjet e dherave dhe katastrofat e tjera të shkaktuara nga faktorët natyrorë ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm, në shkallë globale. Ndryshimet klimatike kanë potencialin për të ndikuar në intensitetin dhe frekuencën e këtyre ngjarjeve, duke i agravuar edhe më tej pasojat e këtyre ngjarjeve. Madje, në disa raste janë ndryshimet klimatike në vetvete përgjegjëse për fatkeqësi të caktuara natyrore, sikurse janë për shembull thatësirat e shkaktuara gjatë valëve të tejzgjatura të të nxehtit, apo përmbytjet pas reshjeve të dendura.
Në Shqipëri, çrregullime të kësaj natyre janë duke shkaktuar ndryshime të ndjeshme në ciklet meteorologjike, duke sjellë në këtë mënyrë rrezik të shtuar për ngjarje ekstreme të motit, sikurse është dhe shkretimi i tokës. Si pasojë e ndryshimeve klimatike, Shqipëria ka përjetuar rritje të temperaturave, ndryshim të modelit të reshjeve dhe një rritje të frekuencës së ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si stuhitë apo përmbytjet. Këto ndryshime janë duke ndikuar në stabilitetin e tokës dhe duke shpënë drejt shkretimit të saj.
Për shkak të topografisë së saj dhe veçorive gjeologjike, Shqipëria është mjaft e prekshme nga ngjarjet ekstreme të motit, disa prej të cilave sjellin agravime të regjimeve gjeofizike të shfaqura përmes rrëshqitjes së dherave, shkëmbinjve, apo dhe erozionit të tokave bujqësore. Përshkallëzimi i këtyre ngjarjeve mund të sjellë pasoja të rënda për popullsinë dhe infrastrukturën vendase.
Në të gjithë territorin e vendit, nën ndikimin e kushteve sezonale, janë vërejtur periudha të zgjatura thatësire pavarësisht regjimit të temperaturave. Shembuj të këtyre përfshijnë thatësirat meteorologjike që ndodhin gjatë stinëve më të nxehta, sasinë e ulët të reshjeve në shkallë rajonale ose vendi, thatësirat bujqësore apo ekologjike në të cilat mungesa e reshjeve shoqërohet me lagështi të reduktuar të tokës, çka përbën parakusht të nevojshëm për shëndetin e vegjetacionit dhe atë të kulturave bujqësore.
Shqipëria është prekur nga thatësirat meteorologjike për shkak të uljes së sasisë së reshjeve me rreth 10-15% dhe si pasojë e trendit të përgjithshëm rritës të temperaturave midis vlerave 1.5°C-3.0°C, krahasuar kjo me mesataren 30-vjeçare. Në kushtet e ndryshimeve klimatike, ngjarjet ekstreme të motit shoqërohen me ndikime në përbërjen e dheut, në veçanti atij të tokës bujqësore. Kjo, si pasojë e përdorimit të shpeshtë të ngastrave në kushte ekstreme, të karakterizuara nga temperatura shumë të larta gjatë valëve të zgjatura të të nxehtit, thatësirave të tejzgjatura sezonale në periudhën verë-vjeshtë, si dhe ngricave e stuhive të intensifikuara.
Thatësira hidrologjike është veçanërisht e pranishme gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet nga tharja e përrenjve malorë dhe e lumenjve (Drino, Kiri, Dukati, etj.), zvogëlimi i rrjedhave të lumenjve kryesorë, ku shtrirja e tyre reduktohet me 4-7 herë më shumë se në stinët e tjera, pakësimi i ujit në 700 rezervuarët vaditës në bujqësi, si dhe varfërimi i burimeve të ujërave nëntokësore.
Në vitin 2020, temperatura mesatare maksimale ishte 2.8 gradë më e lartë se mesatarja e 30 viteve të fundit (1961-1990), duke sjellë thatësirë të tokës dhe intesifikim të uljes së rendimentit në bujqësi. Për periudhën 2019-2023, ka rezulltuar që përmbajtja e lagështisë për muajin gusht të jetë 4.81%, duke arritur deri në 27.2% në muajin dhjetor, sipas matjeve të kryera pranë Institutit të Gjeoshkencave.
Dr. (K.) Inxh. Anira Gjoni, eksperte pranë Departamentit të Meteorologjisë (IGEO), si dhe lektore pranë Universitetit Politeknik të Tiranës shprehet se jemi një vend që kemi risk të lartë për sa i përket ndryshimeve klimatike, referuar monitorimeve klimatike të kryera nga vetë IGJEO por dhe raporteve te ndryshme të përgatitura nga ekspertë dhe studiues të huaj. Nevojë e menjëhershme është marrja e masave për të minimizuar këto pasoja. Në këtë studim janë analizuar thatësirat si një nga pasojat e ndryshimeve klimatike. Të tjera shumë të rëndësishme janë: përmbytjet (lumore, urbane apo vërshimet e shpejta), valët e të nxehtit, ngricat, stuhitë, rrëshqijet e dheut, zjarret në pyje, pandemitë, etj. Karakteristike për vitet e fundit, referuar të dhënave klimatike të IGJEO-s, janë thatësirat e tejzgjatura, trefishimi i numrit të netëve tropikale, zvogëlimi i numrit të ditëve me reshje me rreth 12%, verë me anomali të theksuara, etj.
Për të përballuar ndryshimet e pritshme klimatike është e nevojshme të rriten investimet për rritjen e kapacitetit vaditës, të paktën 2.5 herë më të larta se aktualisht, duke përmirësuar teknologjinë e ujitjes çka përmirëson efikasitetin e përdorimit të ujit me 3-5 herë, krahasuar me ujitjen tradicionale që aplikohet gjerësisht. Plani Kombëtar i Veprimit duhet të rishikohet për të luftuar thatësirën dhe shkretëtirëzimin, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në nivel kombëtar dhe lokal, ngritjen e strukturave të specializuara, mundësisht një njësie të specializuar për thatësirën, me synim ngritjen e kapaciteteve të kualifikuara.
Për zbatimin e masave në këtë fushë, duhet të përfshihen në Planet e Përgjithshme Vendore 15-vjeçare të bashkive protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare që synojnë të luftojnë thatësirën, si dhe të integrohen në planet përkatëse të zbatimit. Ndërkaq, tokat e prekura nga rreziqet e shkaktuara nga thatësira apo reshjet e tepërta (zonat e lagura, zonat e prekura nga zjarret, erozioni dhe rrëshqitjet e dherave, etj.), duhet të përcaktohen në planet zhvillimore urbane si zona të rrezikshme për banim.
Monitorimi i thatësirës duhet të përsoset si një sistem i koordinuar, duke përfshirë tregues të tjerë, duke krijuar një bazë të dhënash identifikuese me një kontekst shkencor. Kontrolli mbi territorin, burimet ujore, prerja dhe djegia e pyjeve, rilëshimi i lejeve të ndërtimit për hidrocentrale pas vitit 1990, modifikimet hidrologjike dhe varfërimi i rrjedhës së lumenjve dhe përrenjve ndikojnë negativisht në ekosistemet ujore dhe bujqësore dhe kjo shoqërohet me intensifikim të thatësirës. Shqipëria duhet të zhvillojë një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar, në informimin dhe zbatimin e planeve dhe protokolleve të përbashkëta në luftën kundër thatësirës dhe shkretimit të tokës.