Sipas Raportit të Cilësisë Ajrit në Botë, Shqipëria renditet e 7-ta në Rajonin Evropian për cilësinë keqe lidhur me grimcat PM2.5

Në 19 Mars 2024 u publikua Raporti i Cilësisë së Ajrit në Botë, ky raport…

By Mjedisi Sot

Në 19 Mars 2024 u publikua Raporti i Cilësisë së Ajrit në Botë, ky raport u grumbullua nga më shumë se 30,000 stacione monitorimi në rang botëror. Shqipëria u rendit e 51-ta në botë dhe e shtata në Evropë për cilësinë e keqe të ajrit për grimcat PM 2.5.

Raporti Botëror i Cilësisë së Ajrit 2023 ofron një përmbledhje globale të të dhënave të cilësisë së ajrit për vitin 2023. Raporti përmbledh të dhënat e cilësisë së ajrit PM 2.5 nga 7,812 qytete që përfshijnë 134 vende, rajone dhe territore. Të dhënat e përdorura për të krijuar këtë raport u grumbulluan nga më shumë se 30,000 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit të operuara nga institucionet kërkimore, organet qeveritare, universitete dhe objekte arsimore, organizata jofitimprurëse, kompani private dhe kërkues.

Sipas këtij raporti Shqipëria u rendit e 51-ta në botë për nivelet e PM 2.5 me vlerat mesatare vjetore 16.7 ((µg/m3 ) nga 134 vende, ku sipas udhëzuesit më të fundit vjetor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rishikuar në vitin 2021, vlerat vjetore të PM 2.5 nuk duhet të tejkalojnë 5 μg/m3. Ndërsa në rang evropian, Shqipëria renditet e shtata për cilësinë e keqe të ajrit për vlerat e PM 2.5.
Raporti Botëror i Cilësisë së Ajrit 2023 u hartua përmes të dhënave të marra në kohë reale nga Platforma Globale e Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të IQAir që kontrollon të dhënat hyrëse të vërtetuara dhe me protokolle kalibrimi për të harmonizuar të dhënat e cilësisë së ajrit nga stacionet e monitorimit në mbarë botën.

Ekspozimi ndaj këtyre grimcave ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me problemet shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet neurologjike, si dhe rritjen e rrezikut të vdekjes. Ndërsa PM 2.5 paraqet rreziqe të drejtpërdrejta për shëndetin, implikimet e tij shtrihen përtej shëndetit të njeriut në procese komplekse mjedisore që ndikohen nga klima e Tokës. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri, vdekshmëria nga ndotja e shkaktuar prej grimcave PM 2.5 është dy herë më e lartë sipas publikimeve të Institutit të Shëndetit Publik.

Periudhat e zgjatura të kushteve të thata dhe të nxehta kanë çuar në rritjen e shpeshtësisë dhe ashpërsisë së zjarreve në shumë rajone. Zjarret lëshojnë gazra dhe grimca të imëta që përbëjnë kërcënim për shëndetin njerëzor duke çuar në vdekshmëri të parakohshme, astmë dhe probleme të ndryshme shëndetësore. Tymi i zjarrit mund të udhëtojë për qindra kilometra, duke ndikuar negativisht në popullatat në distanca të konsiderueshme gjeografike nga pika fillestare ku është konstatuar rënia e zjarrit. Gjithashtu, vërehet një rritje e incidencës së sëmundjeve alergjike dhe atyre të rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e ekspozimit të shtuar dhe të njëkohshëm ndaj alergjenëve dhe ndotësve të ajrit, si p.sh. PM 2.5.