Temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin tonë riprodhues

Studiuesit kanë filluar të vëzhgojnë efekte në shëndetin riprodhues të gruas, të shfaqura përgjatë gjithë hallkave të procesit të barrëlindjes. Teksa infertiliteti është dukuri në rritje në dekadat e fundit, pjesërisht edhe si pasojë e faktorëve të tjerë si dieta, stili i jetesës, nivelet e aktivitetit fizike, etj., ngrohja globale dhe ndryshimi i klimës duket […]

By Mjedisi Sot

Studiuesit kanë filluar të vëzhgojnë efekte në shëndetin riprodhues të gruas, të shfaqura përgjatë gjithë hallkave të procesit të barrëlindjes. Teksa infertiliteti është dukuri në rritje në dekadat e fundit, pjesërisht edhe si pasojë e faktorëve të tjerë si dieta, stili i jetesës, nivelet e aktivitetit fizike, etj., ngrohja globale dhe ndryshimi i klimës duket se luajnë një rol të rëndësishëm, gjithashtu.

Në artikuj të mëhershëm, kemi vërejtur sesi ngrohja e klimës ka ndikuar te lëkura jonë, organi më i madh në trupin e njeriut, e cila luan disa role kyçe si një ndër barrierat kryesore mbrojtëse të organizmit dhe amortizuese të ndikimeve nga faktorë të jashtëm, të tillë si patogjenët, goditjet fizike, pickimet, temperaturat, etj. Kësisoj lëkura njerëzore funksionon njëkohësisht si instrument i ndërlikuar i sistemit tonë imunitar, si rregullatore e temperaturës së brendshme të trupit, çka garanton mbarëvajtjen e punës së indeve dhe organeve të tjera, si dhe si përthithëse e përbërësve të nevojshëm dhe eksretuese e toksinave.

E megjithatë, duket se ekspozimi ndaj temperaturave më të larta për periudha kohore më të gjata, si dhe rrezatimi UV me intensitet të shtuar, janë shoqëruar me efektin e kombinuar të rritjes së rasteve me dermatit atopik, shfaqjen e formave të ndryshme të alergjive dhe gjendjeve auto-imune me manifestim kutan, etj. Por, lëkura nuk është i vetmi organ apo ind i trupit tonë, i prekur nga ngrohja e përgjithshme e klimës. Studiuesit kanë filluar të vëzhgojnë efekte edhe në shëndetin riprodhues të gruas, të shfaqura përgjatë gjithë hallkave të procesit të barrëlindjes.

Si ndikon ngrohja globale në shtatzëni? Çfarë thonë gjinekologët dhe specialistët e obstetrikës?

Sipas disa studimeve, rritja e temperaturave shoqërohet me rrezik të shtuar për lindjen e fëmijëve prematurë, si dhe me peshë të vogël në lindje (IUGR). Diçka e tillë mund të nënkuptojë se në afatgjatë, nevoja për kujdesin post-natal të nënës dhe foshnjeve duhet të përshtatet për të përballuar një fluks më të lartë lindjesh të kësaj natyre dhe të kërkojë përkujdes më të dedikuar dhe specializuar, çka ndër të tjera, mund të përkthehet dhe në kosto shtesë për familjet por dhe institucionet spitalore të kujdesit shëndetësor.

Sipas specialistëve, kronologjia e efekteve të rritjes së temperaturave në çdo cikël të shtatzënisë mund të përmblidhet si në vijim:

  • Në trimestrin e parë (midis muajit të parë dhe atij të tretë), si pasojë e rritjes së temperaturave, mund të shfaqen çrregullime të ndryshme të natyrës hormonale, të cilat në vetvete mund të shoqërohen me rënie të oreksit të nënës, rënien e saj nga pesha, nauzea dhe të vjella të vazhdueshme, dhimbje barku, infeksione vaginale, dhimbje koke, si dhe simptoma të tjera të ngjashme apo të ndërlidhura;
  • Në trimestrin e dytë (midis muajit të katërt dhe atij të gjashtë), simptomatika mbetet kryesisht e njëjtë, edhe pse mund të ketë raste të përkeqësimit të saj për shkak të rritjes së temperaturave përtej vlerave normale. Vihet re këtu një rritje e patologjive të hershme të shtatëzanisë, të tilla si rritja e tensionit arterial, furnizimi i pamjaftueshëm i placentës me oksigjen, kontraktime të parakohshme, etj.;
  • Në trimestrin e fundit (i cili përkon përafërsisht me muajin e shtatë e deri në lindjen e fëmijës) mund të shfaqen dhe një seri simptomash të tjera, të tilla si djegiet e stomakut dhe aciditeti në traktin gastro-intestinal, konstipacioni, vertigo, pagjumësia, rritja e tensionit arterial, anemia, si dhe patologji më të rrezikshme sikurse janë rastet që shfaqin pre-eklampsi, IUGR, insuficiencë të qafës së mitrës, të placentës, lindje të parakohshme, apo dhe vdekje të foshnjës.

Shkencëtarët e Universitetit Ben-Gurion në Be’er Sheva të Izraelit dhe ata të Universitetit të Harvard-it kanë studiuar korrelacionin ndërmjet peshës së lindjes me temperaturën e ajrit gjatë shtatzënisë dhe rezultatet e tyre treguan për disa gjetje mjaft interesante. Një rritje e temperaturës me 8.5°C në trimestrin e tretë rezultoi se shoqërohej me një rënie në peshën e fetusit me rreth 170 g.

Nga një studim tjetër kombëtar në Rumani, i publikuar në vitin 2012, rezultoi se kur temperaturat  rriteshin shumë në vend, lindshmëria e foshnjave të seksit femër ishte më e lartë në raport me atë të meshkujve. Diçka e tillë mund të shoqërohet me një zhvendosje të raportit gjinor në lindje, nëse e zhveshim këtë të fundit nga faktorë socialë të tillë si normat më të larta të abortit të fetuseve të gjinisë femërore, të cilat reflektojnë një preferencë për foshnjat meshkuj në një pjesë të kulturave dhe shoqërive.

Sipas akademikut suedez të shëndetit publik, Ralph Catalano, ndryshimet klimatike mund të çojnë në uljen e jetëgjatësisë si dhe mund të shkaktojnë vështirësi në riprodhim. Dhe, teksa infertiliteti është dukuri në rritje në dekadat e fundit, pjesërisht edhe si pasojë e faktorëve të tjerë si dieta, stili i jetesës, nivelet e aktivitetit fizike, etj., ngrohja globale dhe ndryshimi i klimës duket se luajnë një rol të rëndësishëm, gjithashtu. Sipas profesorit suedez, femrat kishin më shumë gjasa të mbeteshin shtatzënë  në temperatura të freskëta, krahasimisht me temperaturat më të nxehta. Faktori temperaturës ndikonte dhe në seksin e femijës (nxehtë-femra, ftohtë-meshkuj), si edhe në ecurinë e shtatzënisë dhe të të gjithë ciklit të barrëlindjes.

“Ndryshimet klimatike janë një faktor madhor në jetën dhe shëndetin tonë. Ngadalë dhe në heshtje po ndryshohet kodi gjenetik duke sjellë frikë dhe pasiguri për të ardhmen. Ndoshta, ky është momenti për të reflektuar dhe për t’u mobilizuar për të mbrojtur ekuilibrat e natyrës”

 shprehet Dr. Donalda Surducki, doktoreshë pranë St.- Clemens-Hospital, në Geldern të Gjermanisë.

Nuk ka Planet B, ky është i vetmi që kemi!