Tetë bashkitë hartojnë Plane Lokale të Përshtatjes ndaj ndikimeve të mundshme të ndryshimeve klimatike

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) zhvilluan një konferencë kombëtare ku u diskutuan tetë Plane Lokale të Përshtatjes ndaj ndikimeve të mundshme të ndryshimeve klimatike në Shqipëri, sipas raportit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Këto plane janë hartuar për herë të parë dhe janë prezantuar përmes një procesi […]

By Mjedisi Sot

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) zhvilluan një konferencë kombëtare ku u diskutuan tetë Plane Lokale të Përshtatjes ndaj ndikimeve të mundshme të ndryshimeve klimatike në Shqipëri, sipas raportit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Këto plane janë hartuar për herë të parë dhe janë prezantuar përmes një procesi nga pjesëmarrës të bashkive, të cilët kanë identifikuar masat përshtatëse ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri.

“Ndikimet e ndryshimeve klimatike janë më të ndjeshme në nivel lokal, ku komunitetet përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me pasojat. Kjo është arsyeja pse projekti i Planifikimit Kombëtar të Përshtatjes prezanton ndërhyrje strategjike në nivel lokal. Si rezultat, janë identifikuar 314 masa dhe 48 prej tyre me prioritet të lartë, me synim pesë sektorët kryesorë: turizmin, zhvillimin urban, bujqësinë, transportin dhe energjinë.”

Planet Lokale të Përshtatjes u prezantuan nga kryetarët dhe përfaqësuesit e tetë bashkive të përfshira në këtë proces: Vlora, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, Durrësi, Fieri, Kruja dhe Kukësi. Ata diskutuan sfidat specifike klimatike me të cilat përballen komunitetet dhe ekonomitë e tyre dhe masat e propozuara të përshtatjes për adresimin e këtyre çështjeve.

Paneli teknik i përfaqësuar nga ekspertë dhe përfaqësues të lartë të bashkive diskutuan procesin e identifikimit dhe prioritizimit të veprimeve të përshtatjes. Ata theksuan rëndësinë e vlerësimit të rreziqeve dhe vulnerabiliteteve lokale dhe ndarjen e praktikave më të mira dhe metodologjive për të përmirësuar planifikimin e përshtatjes lokale.

Në vijim pritet miratimi i Planeve Lokale të Përshtatjes nga këshillat bashkiakë përpara COP-29, dhe integrimi i disa prej masave prioritare kryesore të përfshihen në Planin Kombëtar të Përshtatjes, që pritet të lehtësojë aksesin në burime financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndër të tjera, konferenca theksoi edhe rëndësinë e forcimit të partneriteteve midis aktorëve vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të arritur një përshtatje efektive ndaj ndryshimeve të klimës.

Bashkitë duhet të sigurohen se po përshtaten me ndryshimet klimatike, duke integruar Planin Lokal të Përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në proceset e tyre vendimmarrëse dhe duke e zbatuar PLP-në në mënyrë proaktive.