Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës ndoten me cianobaktere helmuese

Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës prej disa ditësh janë mbuluar me një shtresë algash…

By Mjedisi Sot

Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës prej disa ditësh janë mbuluar me një shtresë algash të gjelbra, të cilat, sipas biologut dhe ekspertit mjedisor Aleko Miho, janë identifikuar si cianobaktere të rrezikshme dhe helmuese për speciet që jetojnë në këto ujëra.

Gjatë ditëve të fundit, ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës kanë pësuar ndryshime në ngjyrë, ku dallohen qartë një shtresë e gjelbër dhe një aromë karakteristike algash.

Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe aktivist mjedisor, shpjegon se kjo është një shtresë algash blu të gjelbra, një gjini cianobakteresh që gjenden shpesh në komunitetin e fitoplanktonit të ujërave të ëmbla.

Profesor Miho shtoi se pas analizës mikroskopike të një mostre uji të marrë nga Liqeni Artificial, u zbulua se bëhej fjalë për një lulëzim të cianobakterit “Microcystis aeruginosa”, ndër të tjera i njohur si një lloj helmues.

“Këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ndotjes së madhe me lëndë ushqyese, që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen,” shkruan profesor Miho në një reagim publik në Facebook.

Eksperti Miho sqaron se kjo dukuri konsumon oksigjenin e tretur në ujë, duke krijuar kushte anaerobe dhe, për pasojë, shkakton ngordhjen masive të kafshëve dhe bimëve ujore që ndodhen në ujërat e kontaminuara.

Ai i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës që me urgjencë të largojë shkarkimet dhe grumbullimin e ujërave të zeza nga liqeni.

“Mbetet një sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për të gjithë pellgun e Tiranës, si një domosdoshmëri për cilësinë e jetës së njeriut dhe të gjithë botës së gjallë,” theksoi profesor Miho.