logo

Kryefaqja

Dokumentohet për herë të parë Macja e Egër në Divjakë-Karavasta

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë dhe zonat e mbrojtura po sjellin rigenerimin e faunës së egër dhe të pasur shqiptare.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale një lajm të rëndësishëm, dokumentimin për herë të parë të Maces së Egër në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”.

“Bota e egër e zonave të mbrojtura vjen me raportime mjaft të mira nga specialistët e AdZM-ve. Përtej imazheve të përftuara nga Bjeshka Orosh, sjellim një tjetër lajm të rëndësishëm, atë të dokumentimit për herë të parë të Maces së Egër në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”. Imazhet janë siguruar falë kamerave kurth” theksoi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Disa ditë më parë, AKZM ndau pamje nga kamerat kurth të vendosura në Zonën e Mbrojtur të Burimeve të Menaxhuara “Bjeshka Orosh”, një habitat mjaft i qetë për jetën e egër. Në videon e publikuar nga kjo zonë e mbrojtur shfaqen një shumëllojshmëri speciesh si Derri i Egër apo Ariu i Murrmë.