logo

Kryefaqja

Viti 2023: Ngrohja globale i afrohet kufirit që bota po përpiqet të shmangë

Në vitin 2023, ngrohja globale arriti një pikë kritike, me një rritje mesatare të temperaturës prej 1.48°C, shumë pranë kufirit 1.5°C të vendosur në Marrëveshjen e Parisit. Këto të dhëna, të publikuara të martën, zbuluan një rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin 2016, viti më i nxehtë i mëparshëm.

Rekordet e njëpasnjëshme të temperaturave të vitit të kaluar shqetësuan shkencëtarët. Copernicus, Agjencia e BE-së për Monitorimin e Klimës dhe Motit, shtoi se ngrohja globale mund të përkeqësohet këtë vit, duke e kapërcyer kufirin 1.5°C.

•  5 vendet që kanë kontribuar më shumë në historinë e ngrohjes globale sipas Carbon Brief

Shkencëtarët janë shumë më të shqetësuar për pasojat afatgjata që do të sjellë kalimi i këtij kufiri. Mbi këtë prag, shumë nga ekosistemet e Tokës do të “luftojnë” për t’u përshtatur dhe nxehtësia e verës në disa vende do t’i afrohet kufijve të mbijetesës njerëzore.

“Nëse shikoni parashikimet klimatike dhe periudhën kur ne presim të shohim afrimin në kufirin 1.5°C, kuptojmë se ka ndodhur më shpejt sesa pritej” tha Bentley, shefja ekzekutive e Shoqërisë Mbretërore Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar.

Rekordi i nxehtësisë i vitit 2023 u shkaktua kryesisht nga ndryshimet klimatike, tha Copernicus, por u përkeqësua nga fenomeni El Niño. Për çdo ditë të vitit të kaluar, temperatura mesatare globale ishte të paktën 1 gradë më e lartë se dita korresponduese në periudhën para-industriale (vitet 1850-1900). Krahasuar me mesataren e tre dekadave të fundit, viti 2023 ishte 0.6°C më i ngrohtë.