logo

Kryefaqja

Vazhdojnë diskutimet dhe protestat mbi devijimin e Lumit Shushica

Lumi i Shushicës është një lum në jug të Shqipërisë, ndër tributarët kryesorë të Vjosës. Burimi i saj ndodhet në Qarkun e Vlorës, në afërsi të fshatit Kuç. Prej 9 muajsh në këtë fshat po punohet për shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës, investim ky me vlerë 9.5 milion euro i Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë së Himarës. Projekti është miratuar pa konsultim publik, duke nxitur dhe revoltën e banorëve që kanë protestuar disa herë.

Me vendosjen e tubacioneve, Lumi Shushica do të thahet dhe qindra banorë do të mbeten pa ujë për të vaditur tokat. Ish-kryeplaku i fshatit Kuç, Asllan Lala gjithashtu pohoi se me devijimin e ujit do të paralizohet ekonomia e 30 fshatrave, të cilat mbështeten në bujqësi dhe blegtori. Sipas tij, e vetmja rrugë është braktisja e zonës nga njerëzit.

“Marrja e ujit nga lumi do të bëjë që 30 fshatra të lumit të Vlorës të kenë etje për një pikë ujë. Mos llogarisim me mijëra hektarë tokë që do të thahen për ujë. Investimi ka filluar dhe ne nuk na është marrë asnjë mendim. Kemi bërë petcione. Ka vajtur deri në Gjykatë të Lartë dhe nuk na është kthyer asnjë përgjigje. Kjo është grabitje kolosale.”, u shprehën banorët e zonës gjatë protestave.

Me shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar, devijimi i ujërave të Lumit Shushica bie ndesh me ligjin Nr. 81/2017, “Për Zonat e Mbrojtura”. Kjo u paraqit dhe në pankartat e banorëve të Luginës së Labërisë ku shkruhej: “Pa lumin e Shushicës, pa buronjat e Kuçit, Vjosa Park Kombëtar FALLCO”